Shqipëria

Operacion anti-kanabis/ Policia zbarkon në Vlorë


Policia e Vlorës ka bërë me dije se një operacion anti-kanabis është zhvilluar ditën e sotme më 4 korrik.

Operacioni u shtri në zonën e Lumit, ku janë evidentuar disa parcela të mbjella me drogë.

Aksioni ka nisur që në orët e para të mëngjesit dhe është e përfshirë e gjithë policia e Vlorës.

Kontrollet janë zhvilluar me dronë dhe helikopterë. Kjo zonë njihet si problematike përsa i përket kultivimit të narkotikëve.

Ende nuk ka pasur persona të ndaluar dhe mësohet se policia do të dalë në përfundim të aksionit me një deklaratë për shtyp.

Gjithashtu dyshimet e para janë se bimët narkotike janë mbjellë në toka pa pronar.

Një operacion i ngjashëm u ndërmor në zonën e Krujës në fillim të këtij muaji. Ky operacion u ndërmor pasi Guardia di Financa, në patrullim, ka zbuluar parcela me kanabis në këto territore.

Në kuadër të operacionit antikanabis i koduar ‘AGIMI’, janë asgjesuar 50 mijë rrënjë kanabisi dhe janë arrestuar 16 persona.  Policia ka  shpallur në kërkim 24 tjerë. Ndërkohë tre shtetas u hetuan në gjendje të lirë.

Të pranishëm në terren kanë qenë kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj dhe Gjovalin Loka, Drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Në këtë operacion janë përfshirë mbi 200 efektivë. Ai do të shtrihet edhe në zona e qytete të tjera. Sipas policisë, ky është operacioni antidrogë, më i madh pas atij në Lazarat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore