Lajme

OKB: Mbi 800 njerëz janë vrarë nga bombardimet ruse në Ukrainë


Të paktën 816 njerëz janë vrarë dhe 1 mijë e 333 janë plagosur që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. Ky ka qenë përditësimi i fundit i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Shumica e viktimave ishin për shkak të “përdorimit të armëve shpërthyese me një zonë të gjerë ndikimi, duke përfshirë granatimet nga artileria e rëndë dhe sistemet e raketave me shumë lëshime dhe sulmet ajrore me raketa”, tha OHCR në një raport.

Të vrarët përfshijnë 152 burra, 116 gra, shtatë vajza dhe 16 djem, si dhe 36 fëmijë dhe 489 të rritur, gjinia e të cilëve nuk dihet ende.

OHCR-ja tha se, “beson se shifrat aktuale janë dukshëm më të larta, veçanërisht në territorin e kontrolluar nga qeveria dhe veçanërisht në ditët e fundit, pasi marrja e informacionit nga disa vende ku kanë ndodhur armiqësi intensive është vonuar dhe shumë raporte janë ende në pritje të vërtetimit”.

Kujtojmë që kjo është dita e 23-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së, mbi 3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 13 mijë.

Ndërsa nga shifrat vendase, rreth 2 mijë e 500 civilë mendohet se janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore