Shqipëria

OKB-ja kërkon rishikimin e ligjit për barazinë gjinore në Shqipëri


Ligji për Barazinë Gjinore, i cili ka qenë thelbësor për avancimin e barazisë gjinore në Shqipëri, duhet të rishikohet gjerësisht.

Kjo, për ta sjellë në të njëjtën linjë me zhvillimet ligjore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe me përpjekjet e Shqipërisë për ta përafruar legjislacionin e vet me të BE-së për barazinë gjinore.

Kështu shkruhet në dokumentin advokues mbi “Ligjin për Barazinë Gjinore” nga Kombet e Bashkuara në Shqipëri të publikuar të mërkurën e 8 marsit.

Prania e OKB-së në Shqipëri vëren se ligji i ri për barazinë gjinore duhet të trajtojë disa mangësi që kanë ndikuar te zbatimi i saj në praktikë.

Fillimisht dokumenti sjell në vëmendje mungesën e kuotave gjinore në të gjithë sektorët për të promovuar përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e grave në jetën publike.

Ndër të tjera, ajo përmend dispozitat dhe aktet nënligjore të pamjaftueshme për integrimin gjinor dhe analizën gjinore në veprimtarinë e qeverisë.

OKB-ja thekson edhe mungesën e një sistemi të efektshëm llogaridhënie për mekanizmin e barazisë gjinore, si dhe mungesën e mekanizmave të qartë të ankimit administrativ dhe gjyqësor për të siguruar mbrojtjen nga diskriminimi me bazë gjinore.

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka shënuar progres të veçantë në fuqizimin e grave, vijon dokumenti.

Ligji i vitit 2008 për Barazinë Gjinore në Shoqëri ishte kyç për krijimin e një kuadri normativ të fuqishëm për barazi midis grave dhe burrave.

Sipas OKB-së, ky ligj ka merita për arritje të rëndësishme, si parashikimi i kuotave gjinore për pozicione vendimmarrëse të zgjedhura dhe të emëruara apo ngritjen e mekanizmit të barazisë gjinore në nivel qendror dhe vendor.

Megjithatë, zbatimi i Ligjit për Barazinë Gjinore nuk ka qenë njësoj i efektshëm në të gjitha drejtimet për shkaqe të ndryshme, cek shkresa e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.

Përfshirja e rishikimit të Ligjit për Barazinë Gjinore në Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2030, si hap kyç për forcimin e promovimit të një shoqërie të barabartë dhe të drejtë nga pikëpamja gjinore, nuk është e rastësishme, shton dokumenti.

Organizata e Kombeve të Bashkuara sqaron se është mjaft e rëndësishme që Ligji i ri për Barazinë Gjinore të përcaktojë lidhje sistematike me Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe kostot që lidhen me zbatimin e saj, për të lejuar investimet përkatëse.

Gjatë rishikimit dhe hartimit të një ligi te ri, mund të merret parasysh përvoja e vendeve të tjera me legjislacionin progresiv për barazinë gjinore dhe mos-diskriminimin, si p.sh e vendeve anëtare të BE-së ose e vendeve kandidate (p.sh. Francë, Spanjë Serbi) ose vendeve jo-anëtare (p.sh Shtetet e Bashkuara), argumenton OKB-ja.

Në përmbyllje, OKB-ja në Shqipëri u bëri thirrje autoriteteve kombëtare përkatëse si Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Kuvendit të Shqipërisë që të fillojnë procesin e rishikimit të Ligjit në konsultim me përfaqësues të institucioneve kyçe qeveritare, institucioneve të të drejtave të njeriut, shoqërisë civile dhe botës akademike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore