Lajme

OJQ-të serbe në Kosovë kërkojnë nga Kurti themelimin e Asociacionit


Ilustrim

Organizatat e shoqërisë civile nga komuniteti serb, të mbledhura në kuadër të iniciativës OPEN, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta themeloj Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pasi sipas tyre “është obligim i ndërmarrë gjatë negociatave në Bruksel dhe i ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”.

“Qeveria e Kosovës duhet të gjejë mënyrën për ta zbatuar atë, kanë thënë 11 organizata në një deklaratë të përbashkët”, thuhet në njoftim.

“Prandaj presim që Qeveria e Kosovës të iniciojë të gjithë hapat e nevojshëm sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të themelohet Asociacioni i Komunave Serbe në përputhje me parimet e dakorduara në Bruksel”, kanë thënë organizatat e shoqërisë civile nga komuniteti serbë”.

Më 17 gusht, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, menjëherë pas takimit me kryeministrin, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë të shkurtër për mediat e Kosovës, ku ka deklaruar edhe një herë se lider i procesit negociues është Bashkimi Evropian, porse SHBA-të e mbështesin dhe gjithashtu janë për themelimin e Asociacionit të Kosovës.

“Po, Asociacioni duhet të implementohet. Të implementohet brenda ligjeve të Kosovës, por po e ngritëm edhe këtë çështje. Jam në linje me BE-në”.

Sa i përket modelit, ai shtoi se “ka në Evropë ka shumë modele të tilla”.

Escobar pas takimit me Kurtin: Po, jemi për themelimin e Asociacionit

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, në intervistën e tij të fundit nuk përjashtoi mundësinë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të implementohet sipas një modeli zhvillimor, i cili bazohet në veçori gjeografike, ekonomike dhe zhvillimore.

Ndonëse Kurti nuk dha shumë detaje se si mund të duke modeli i propozuar nga vetë ai, deklarata e tij u interpretua si një zbutje e qëndrimit në raport me Asociacionin, sidomos pas kërkesës së top-diplomatit amerikan, Gabriel Escobar “që të gjinden modalitete për zbatimin e Asociacionit”.

Insistimi Evropian 

Bashkimi Evropian insiston që Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

Kështu së fundmi pati deklaruar kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

“Themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është rënë dakord nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja është ratifikuar nga parlamenti i Kosovës dhe Kosova duhet ta përmbushë obligimin ligjor dhe ta zbatojë atë pa asnjë vonesë”, pati thënë ai në një përgjigje për mediumin serb, N1.

Kosova dhe Asociacioni 

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, përkatësisht parimet e saj të hartuara në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese i ka shpallur në mbi 20 pika si anti-kushtetuese. Në vendimin e saj është thënë se Asociacioni mund të bëhet, por të kthehet në atë të vitit 2013. Kjo ngase Kushtetuta e Kosovës e ka gjetur antikushtetuese të ketë asociacon të komunave mbi parime etnike.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Asociacionin apo Bashkësinë e Komunave Serbe e ka interpretuar në analogji me krijimin e një republike serbe brenda Kosovës. Dhe si të tillë, Kurti është zotuar se nuk do ta lejojë të ndodh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore