Lajme

“Ofensivë për të çmontuar raportin e Dick Marty’t”, reagimet nga figurat publike në Kosovë pas fjalimit të Ramës në KiE


Edi Rama

Një numër i madh i politikanëve dhe figurave publike në Kosovë kanë shprehur mirënjohjen e tyre të thellë për angazhimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, kundër raportit të Dick Marty-t gjatë sesionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Dy ish-kryeministrat e Kosovës, Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti, kanë vlerësuar lartë fjalimin e Ramës në “panteonin” e shteteve evropiane.

Hoti deklaroi se Shqipëria mbetet zëri i Kosovës, të paktën derisa Kosova të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë, kurse Mustafa, theksoi se Rama “ishte zëdhënës me plot dinjitet i të vërtetës për Kosovën dhe luftëtarët e saj të lirisë” dhe zgjodhi të kritikonte krerët shtetërorë në Kosovë të cilët, siç u shpreh ai, “i ka kapluar urrejtja dhe inati primitiv”.

Edhe Valon Murati nga Lëvizja për Bashkim, ka konsideruar se është për të ardhur keq fakti se si diplomacia kosovare po tregon një impotencë dhe smirë të pakuptueshme ndaj nismës së Ramës.

“Historia një ditë do të qesh e qaj me këtë mentalitet provincial që mendon se atdheu dhe bota fillon dhe përfundon në mëhallën tënde”, ka shkruar ai.

“Edi Rama është në ofensivë për të çmontuar raportin e Dick Marty’t”, ka thënë ai mes tjerash.

“Trokitje në ndërgjegjjen e Këshillit të Evropës” e ka përshkruar fjalimin e kryeqeveritarit shqiptar ish-zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Hyseni.

“Në rrethana jo bash të lehta, dhe ndonëse relativisht i vetmuar, ai u përcaktua për një betejë të vështirë për të vërtetën dhe drejtësinë, përballë indiferencës dhe inaktivizmit politik të shumicës së politikanëve shqiptarë në të dyja anët e kufirit”, shkroi ai në Facebook.

Kurse, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, trashëgimtar i partisë të cilën e themeluan ata që akuzohen sot në Hagë për krime lufte, deklaroi se është “fat i madh për Kosovën që në këtë periudhë sfiduese, Shqipëria ka një kryeministër si Edi Rama”.

“Nuk e humb asnjë mundësi që i jepet për të mbrojtur Kosovën, luftën tonë çlirimtare dhe të drejtën tonë të patjetërsueshme për liri dhe pavarësi”, theksoi Krasniqi.

Edhe deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu, komentoi paraqitjen e Ramës dukë thënë se ai “çdo ditë po bëhet zë i së vërtetës për popullin e Kosovës”.

“Vlera sublime e UÇK-së mbrohet duke folur hapur e drejtë”, shtoi Deliu.

Ndërkaq, ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, është impresionuar dhe ndihet krenar për fjalimin që mbajti i pari i ekzekutivit shqiptar.

“Janë veprime si këto që kanë shumë domethënie për Kosovën dhe për të cilat ne të gjithë duhet të jemi mirënjohës”, shkroi Pacolli në Facebook.

Nga ana tjetër, filozofi dhe komentatori politik, Blerim Latifi, fjalimin e kreut të qeverisë shqiptare e ka konsideruar si një nga më të fuqishmit në histori të ligjërimit politik shqiptar.

“Jam krejtësisht i bindur se fjalimi i sotëm i Edi Ramës në Këshillin e Evropës do të mbahet mend si një ndër fjalimet më të fuqishme në krejt historinë e ligjërimit politik shqiptar”, ka shkruar Latifi.

Analisti dhe veterani i gazetarisë, Halil Matoshi, konstatoi se Rama, “ka bërë mbrojtjen më vigane dhe më të themelt të drejtave të njeriut në truallin evropian, nga foltorja e tempullit të kombeve evropiane, në Strasbourg”.

“I ka bërë një mbrojtje filozofike e etike, vetë idesë evropiane të lirisë”, ka shtuar Matoshi.

Por, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media ka deklaruar se nuk e ka dëgjuar këtë fjalim historik në mbrojtje të Kosovës.

Ai u arsyetua se vizita në Pejë ia ka pamundësuar një gjë të tillë.

“Nuk e kam dëgjuar. Nuk ka pasur mundësi të dëgjoj, sepse kam qenë në Pejë dhe tërë ditën nëpër takime të shumta dhe mbrëmjen vonë po përpiqen të updejtohem për mëngjesin e së nesërmes”.

Ndryshe, Rama ka adresuar të mërkurën e 12 tetori, përpara anëtarëve të Këshillit të Evropës, rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t me titull “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i organeve në Kosovë”.

Kryeministri shqiptar Edi Rama i ka konsideruar pretendimet e ish-prokurores Carla del Ponte për krimet e lufës të kryera nga UÇK-ja, si lajmi më i tmerrshëm i rremë.

Lajmi u bë i ditur gjatë fjalës së kreut të qeverisë në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

“Jam sot në 2022 këtu. Jo sepse ne zbuluam sot se ishte lajmi më i tmerrshëm i rremë, por sepse pritëm me durim derisa pamë akuzën zyrtare”, deklaroi Rama.

Sipas tij, pretendimet e Ponte-s se luftëtarët e UÇK-së kanë bërë trafik organesh, janë të bazuara në burime të dyshimta.

“Më pak se një dekadë pas ndërhyrjes së NATO-s, Carla del Ponte botoi një libër kujtimesh”, u shpreh fillimisht Rama.

Ajo pretendonte se krime të tmerrshme ishin kryer nga drejtuesit e UCK-së, përfshirë mbi të gjitha trafikimin e organeve njerëzore, shtoi ai.

Rama vëren se libri natyrshëm shkaktoi më pas valë tronditje në të gjithë botën.

“Kjo akuzë zuri faqet e para nga Evropa në Australi. Pavarësisht faktit se akuzat u mohuan kategorikisht në Kosovë. Pyetja më misterioze ishte se çfarë e ndaloi një prokurore të pushtetshme për të investiguar më tej”, pyet kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore