Sport

Odegaard, kapiteni i ri i Arsenal?


Trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, duhet të emerojë një kapiten të ri të klubit të tij kur kontrata e Alexandre Lacazette përfundon më 30 qershor.

Arteta ka sugjeruar që Martin Odegaard mund të jetë kapiteni i ri i skuadrës londineze.

Sipas trajnerit të topçinjëve, Odegaard i ka të gjitha kualitetet që të jetë lider i skuadrës së tij.

Skuadra londineze e ka emëruar kapiten të skuadrës francezin Alexandre Lacazette, pas largimit të Aubameyang te Barcelona.

Mirëpo, Lacazette mbetet pa kontratë në fund të këtij sezonit, dhe largimi i tij nga Arsenal është pothuajse i sigurt.

Odegaard, që erdhi për 40 milionë euro nga Real Madrid-i vitin që shkoi, ka treguar se ai mund të jetë një lider gjatë kohës së tij te Norvegjia.

Ende pa i mbushur 23 vjet, Odegaard ishte kapiten i Norvegjisë.

Dhe, Mikel Arteta mendon që mesfushori e ka mundësinë dhe aftësinë që të jetë kapiten edhe te topçinjtë.

“Ai ka të gjitha kualitetet që të jetë”, u shpreh Arteta.

“Kam folur me trajnerin e Norvegjisë, dhe aty ai vlerësohet shumë, të gjithë e duan”, shtoi spanjolli.

“Ai është një djalë i urtë, i mirë dhe ai udhëheqë në atë mënyrë”.

“Kjo është natyrale për të, ai është i lindur që të jetë lider”, mbylli trajneri i Arsenal.

Këto deklarata lënë të kuptohet që Odegaard me shumë mundësi do të bartë shiritin e kapitenit te Arsenal që nga sezoni i ardhshëm.

Londinezët nuk kanë pasur marrëdhënie shumë të mira me kapitenët gjatë viteve të fundit.

Xhakës iu hoq titulli i kapitenit pas përleshjes me tifozët, e Pierre-Emerick Aubameyang u largua në mes të sezonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore