Kosova

Odaloviç: “Masakra e Reçakut ‘inskenim’ – U përdor nga SHBA-të dhe BE-ja për të arsyetuar bombardimet e NATO-s”


Veljko Odaloviç

Në vazhdën e deklarimeve fashiste kundrejt masakrës së Reçakut është bashkuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Serbisë dhe njëherit kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur në Qeverinë e Serbisë, Veljko Odaloviç, i cili ka kërkuar që zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian të mos përzihen në tragjedinë e Reçakut ku u masakruan 45 shqiptarë civil nga Kosova.

Për Odaloviç, masakra e Reçakut u përdorë si precedent nga shtetet e perëndimit për ta arsyetuar bombardimin e vitit 1999 nga NATO kundrejt federatës Jugosllave.

“Dikush do të duhet t’i shpjegojë dikujt pse bombarduan një vend sovran dhe krijuan një precedent. Unë i kuptoj shqiptarët sepse ata e bëjnë historinë e tyre, por pse këta të tjerët [SHBA dhe BE] që e dinë shumë më mirë se shqiptarët, se çfarë ka ndodhur realisht atje. A mendon dikush se ky veprim nuk është vërejtur nga shërbimet e huaja”, ka thënë Odaloviç në një intervistë të dhënë për Radio Televizionin serb, RTS.

Sipas tij, masakra e Raçakut është një “inskenim” i bërë nga ish-shefi i OSBE-së në Kosovë, William Walker, dhe se të gjitha ata që e mohojnë këtë sipas tij përballen me SHBA-të dhe Evropën.

“Ne nuk mund të heshtim, ne do të vazhdojmë të dëshmojmë”, ka shtuar ai.

“Nuk ka asnjë provë, përveç deklaratës së Walker-it se aty ka ndodhur një masakër ndaj civilëve. Walker nuk ka besueshmërinë për të folur për këtë”, ka përfunduar Odaloviç.

William Walker pas masakrës së Reçakut

Të premten 10 dhjetor, Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, pas vizitës në ekipin i cili po xhiron filmin për ngjarjet në Reçak, si pjesë e serisë së dokumentarëve “Dosja e Kosovës”, ka thënë se kjo masakër nuk ka ekzistuar asnjëherë.

“Reçaku është një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”, ka thënë Vulin.

“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë dhe as të zgjuar për t’i treguar gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër si kundërpërgjigje ndaj deklarimeve të ministrit serb, ambasadori amerikan, Walker, ka potencuar se përpjekja zyrtare e Serbisë për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për arsye se disa zyrtarë aktualë në Beograd ishin të përfshirë në krimet kundër njerëzimit në Kosovë.

Aleksandër Vulin

Çmendurisë së Vulinit i ka reaguar edhe departamenti i shtetit amerikan.

“Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në një deklarim të DASH-së për REL.

Masakra s’mund të zhbëhet

Masakra e Reçakut ishte masakrimi i 45 shqiptarëve nga Kosova në fshatin Reçak, me 15 janar 1999. Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara.

Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6:30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura Pishat, Gështenjat, Rrasa e Çallakut dhe nga Çesta përmbi Reçak.

Pas ndërprerjes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi.

Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar në oborrin e shtëpisë (afër xhamisë) Banush Azem Kamberin, ndërsa familja e tij pak kohë më herët kishte braktisur shtëpinë.

Banushin, pasi e maltretojnë fizikisht e ekzekutojnë me rafale automatiku në oborrin e komshiut të tij Rashit Rashiti, dhe ia këpusin edhe kokën, e cila nuk është gjetur dot në vendin e krimit.

Masakra e Reçakut

Drama me e tmerrshme në këtë ditë, për banorët e Reçakut, u zhvillua në shtëpinë e Sadik Osmanit.

Qysh në orët e para të mëngjesit ishin tubuar shumë familje në podrumin e shtëpisë dhe në ahurin e lopëve të tij për t´u mbrojtur nga granatimet e artilerisë së rëndë.

Serbët pasi kishin hetuar strehimin e banorëve të fshatit në këtë shtëpi, fillimisht nga largësia prej shtëpisë së Ragip Jahir Bajramit gjuajnë me armë të kalibreve të ndryshme dhe në këtë moment vrasin plakun Nazmi Nuha dhe më pastaj hidhen në sulm, rrethojnë shtëpinë e Sadikut dhe futen në oborr.

Dëshmitarët okular, Ramë Nesret Shabani dhe Sadie Ramadani, nga kjo ditë tragjike rikujtojnë se “rreth orës 8:30, jemi tubuar në bodrum të shtëpisë së Sadik Osmanit, për t´u mbrojtur nga granatimet. Aty kanë qenë rreth 30 gra me fëmijë, kurse prej meshkujve ishin Sadik Osmani, Ramë Nesret Shabani, Mufail Hajrizi, Burim Osmani dhe disa djemtë të rinj”.

“Ndërsa burrat tjerë, rreth 30 veta, kanë qenë të vendosur në ahurin e lopëve të Sadik Osmanit. Fillimisht policia serbe i ka nxjerrë jashtë nga ahuri burrat”.

Pas një orë e gjysmë rrahjesh për vdekje, dikur në mesditë, këta burra i marrin dhe në rresht (kolon) për një i nisin në drejtim të malit dhe te ”Gropa e Bebushit” ndalohen nga njësitë tjera kriminale serbe.

Pikërisht në rrugicën e “Gropës së Bebushit” ashtu siç kanë qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale serbe me rafale automatiku nga afër i ekzekutojnë pamëshirshëm 24 burra, ndërsa me këtë rast (meqë ishin të fundit në kolonë) arrijnë të shpëtojnë: Ramë Shabani, Bilall Bilalli, Nesret Shabani, Ali Qazimi dhe Immer Imeri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore