Lajme

Oda Gjermano-Kosovare: Investimet e huaja në Kosovë për 6 muaj arritën mbi 90 milionë euro


Flamuri i Kosovës dhe Gjermanisë.

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka bërë të ditur se investimet e huaja direkte të këtij vendi në Kosovë për 6 muajt e parë të këtij viti kanë kapur vlerën e mbi 90 milionë eurove.

Lajmin e ka bërë të ditur Oda përmes një komunikate për media në rrjetin social ‘Facebook’.

“Këtë e thojnë statistikat mes dy vendeve, ku Investimet e Huaja Direkte nga janari deri në qershor të këtij viti kapin vlerën 92 milionë euro. Në anën tjetër eksporti i produkteve kosovare në Gjermani në 7-mujorin e parë të këtij viti ka mbërritur 52 milionë euro, përballë importit nga Gjermania në Kosovë me 414 milionë euro”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e lëshuar nga Oda Gjermane Kosovare.

Teksa, është thënë se këto të dhëna të delegacionit gjerman janë prezantuar nga drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, në takimin e organizuar nga zyra e fondacionit politik gjerman Konrad Adenauer Stiftung.

“Me një përbërje prej udhëheqësish të bizneseve, organizatave, odave dhe zyrave ekonomike gjermane, interesimi i tyre ishte i fokusuar në aspektin ekonomik. Interesimit të tyre për zhvillimet ekonomike në vend, iu përgjigj znj. Hasani, duke u dhënë një pasqyrë të qartë të Kosovës ekonomike dhe marrëdhënieve ekonomike gjermano-kosovare”.

“Ajo që u vu në pah, ishte se Kosova ka partner kryesor Gjermaninë në të bërit biznes që nga paslufta”.

Në Kosovë janë mbi 200 kompani gjermane.

Odat ekonomike janë institucione në shërbim të ekonomisë kosovare, burim i besueshëm i informatave për ndërmarrjet kosovare, si dhe për ndërlidhjen me partnerë ndërkombëtarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore