Lajme

Oda Ekonomike Amerikane: Shqetësuese kërkesa për tërheqjen e kursimeve nga Trusti


Oda Ekonomike Amerikane.

Oda Ekonomike Amerikane, ka përsëritur shqetësimin e saj lidhur me miratimin e mundshëm të ndryshimeve të cilat do të bënin të mundur tërheqjen e një pjese të kursimeve të kontribuuesve pensional.

Sipas OEAK-ut, tërheqja e kursimeve pensionale cenon prospektet për jetë të dinjitetshme pas moshës së pensionimit.

“Duke mirëkuptuar shqetësimin e iniciuesve dhe ithtarëve të ndryshimeve të propozuara për sa i përket ngritjes së kostos së jetesës, Oda Amerikane rikujton se tkurrja e kursimeve pensionale në llogari të përballimit të sfidave aktuale cenon prospektet për jetë të dinjitetshme pas moshës së pensionimit”, është thënë në reagimin e OEAK-ut.

Ndër të tjera, ka theksuar se tkurrja e fondeve do të cenojë edhe mundësitë e shtetit për realizim të investimeve kapitale.

“Po ashtu, duke pasur parasysh që një pjesë e fondeve të kursimeve pensionale janë të investuara në bonot e thesarit, tkurrja e mundshme e fondeve do të cenojë edhe mundësitë e shtetit për realizim të investimeve kapitale, e cila në anën tjetër do të ngadalësojë edhe rritjen ekonomike”.

Trusti.

Ndërsa, konsiderojnë që përfitimet që mund të sjell trusti janë afatshkurta.

“Përfitimet afatshkurta socio-ekonomike nga të mundësuarit e tërheqjes së kursimeve pensionale nuk do të tejkalonin në asnjë mënyrë pasojat negative të një mase të tillë”.

“Prandaj, politikbërësit në Kosovë, shumica qeverisëse dhe opozita parlamentare, por edhe hisedarët e tjerë, duhet të përfshihen në dialog gjithëpërfshirës me qëllim të identifikimit të masave të duhura për tejkalim të krizës aktuale dhe asaj që mund të pasojë në muajt në vijim”, përfundon OEAK-u.

Edhe, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka dalur kundër iniciativës për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve nga Trusti dhe kthimin e tarifave të rrymës, siç kanë qenë para shtrenjtimit.

FMN-ja ka shprehur kundërshtimet e forta edhe për tërheqjet shtesë nga fondi i kursimeve pensionale.

“Gjithashtu, këto tërheqje do të përktheheshin në ngjeshje të madhe të tregjeve vendore të kapitalit, duke kompromentuar seriozisht financimin buxhetor dhe qëndrueshmërinë e borxhit”, thuhet në komunikatë.

FMN-ja, ka konsideruar se rritja e tarifave të energjisë elektrike në muajin shkurt për të reflektuar faturën më të madhe të importit të energjisë elektrike, së bashku me zbatimin e subvencioneve të energjisë elektrike për rreth 20 për qind të ekonomive familjare, ishin lëvizje të duhura të politikave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore