Pajisje

Ocado me sistem të veçantë robotizimi


Kompania britanike e shitjes së ushqimeve në internet, Ocado, po përdor sisteme ajrore të kontrollit të trafikut dhe një teknologji të veçantë të formësuar nga inteligjenca artificiale për të kordinuar 700 robotë të fabrikës.

E përditshmja, The Economist, shkruan se fabrika e robotizuar e Ocado-s mund të jetë një nga fabrikat më të përparuara teknologjikisht në botë e cila mbulon 65 mijë porosi në javë të kryera për 645 mijë klientët e saj në internet.

Ndryshe nga arkat e rreshtuara nëpër rripat e gjatë transportues, sistemi i Ocado-s i quajtur “zgjua” përdor një rrjet tridimensional i cili shërben për të mbledhur porositë e klientëve. Robotët e lëvizshëm ndalen vetëm për një sekondë të marrë produktet dhe për t’i transportuar ato në stacionet përkatëse ku punonjësit bashkojnë porositë.

“Një sistem i tillë i kontrollit ajror të trafikut, koreografon lëvizjet e 700 robotëve që zhurmojnë mbi një zonë e cila ka madhësinë e tre fushave të futbollit, në vetëm gjysmë centimetri largësi mes tyre”, shpjegon The Economist.

Kompania Ocado e cila është themeluar që në vitin 2000, falë teknologjisë së implementuar është shndërruar në një nga kompanitë më të njohura bashkëkohore të shitjes me pakicë.

Zhvillimin, kompania e mori me nënshkrimin e marrëveshjes për të furnizuar rrjetin më të madh të supermarketeve në Amerikë, Kroger, e cila i rriti aksionet e Ocado-s me 50%.

Sipas The Economist, suksesi i kompanisë tregon për të ardhmen e sektorit të shitjes me pakicë që do të dominohet nga blerja në internet. Edhe pse analistët janë shprehur skeptikë për kompaninë lidhur me fitimet që mund të gjeneeojë, Ocado po kthehet në sfiduesin kryesor të Amazon-it për shitjet në internet të ushqimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore