Shqipëria

Objektivi i Ben Blushit dhe liria e shtypit


“Nëse liria për të fotografuar dhe regjistruar jetët e të tjerëve quhet liri e shtypit atëherë këtë e kemi fituar”.

Nuk është epitaf, apo ndonjë requiem për ditën e lirisë së shtypit, po një përsiatje e gazetarit të njohur Ben Blushi, lidhur me ditën e shënjuar si “e lirisë së pushtetit të katërt”, 3 majit.

Ai në fakt e përshkruan si shumë herë kohët e fundit, me imazh më shumë se me fjalë, përçudnimin që sheh dhe shteron në mendje, rreth fenomeneve të tilla që i pikas objektivi i aparatit, të cilin e shkrep me ngjyra, por e dekoloron në hijet e medias së tij sociale Facebook.

Një foto të tillë e ka shkrepur së fundmi në Durrës dhe përmes saj, përshkruan median e sotme sipas tij, lirinë e saj, të shtypit, të absolutes ndoshta!

“Njerëzit përpiqen të ngjiten lart ndërkohë që është gjithmonë dikush që fotografon mundimin, vuajtjen, vonesën apo dështimin e tyre. Mundësia jonë për të shijuar dështimin e të tjerëve është një sukses që shpesh quhet liri shtypi”.

Kaq i mjafton për ta kornizuar situatën reale, në një botë dhe shoqëri (shqiptare mbi të gjitha), ku ka një ditë të veçantë për lirinë e shtypit, por asnjë ditë të posaçme tanimë për lirinë e vetë shoqërisë, ku të gjithë janë në sytë e të gjithëve dhe askush, nuk është në mendimet e askujt.

Dita e lirisë së shtypit për Blushin, është pikërisht kjo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore