Lajme

NZZ: “20% e territorit ukrainas në këmbim të paqes”, por Shtëpia e Bardhë e mohon


Shefi i CIA-s, William Burns, thuhet se i ka ofruar presidentit rus Vladimir Putin një të pestën e territorit ukrainas, afërsisht të barabartë me madhësinë e Donbas-it.

E gjitha për t’i dhënë fund luftës në vazhdim si pjesë e një plani paqeje të hartuar në emër të presidentit amerikan Joe Biden, sipas gazetës zvicerano-gjermane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ).

Sakaq, gazeta ka raportuar edhe mohimin e Shtëpisë së Bardhë lidhur me këtë plan.

Zëvendëszëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Sean Davitt i ka thënë gazetës se raportimet ishin “plotësisht të rreme”.

Burns thuhet se e paraqiti planin në mes të janarit, sipas politikanëve të lartë gjermanë të cituar si burim.

Kievi ka refuzuar “sepse nuk është i gatshëm të ndajë territorin e tij”, ndërsa zyrtarët rusë kanë thënë se “do ta fitojnë luftën në planin afatgjatë gjithsesi”, ka raportuar NZZ.

Ndërkohë, SHBA-të po përgatisin mbi du miliardë dollarë ndihmë ushtarake, e cila do të përfshijë për herë të parë raketat me rreze të gjatë veprimi Glsdb.

Ndërsa presidenti  ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të miratojë sanksione të reja kundër Rusisë sa më shpejt.

Nga ana tjetër, Komisioni i Bashkimit Evropian prezantohet në Kiev me një paketë masash ndihme në fronte të ndryshme, të dedikuara kryesisht për lehtësimin e procesit të integrimit në BE.

Po ashtu presidentja e Komisionit ka njoftuar po ashtu krijimin në Hagë të “një qendre ndërkombëtare” për mbledhjen e provave të krimeve të luftës të kryera nga rusët.

Duket se çështja është e ndërlikuar dhe do të trajtohet edhe gjatë samitit BE-Ukrainë, i cili do të mbahet në orët e ardhshme nën kujdesin e Këshillit Evropian me pjesëmarrjen e Charles Michel, si dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ideja është krijimi i një qendre ndërkombëtare për ndjekjen penale të krimit të agresionit me qëllim të koordinimit të hetimeve.

Mburoja për të mbrojtur Kievin dhe zonat e tjera strategjike “do të jetë funksionale në territorin ukrainas brenda shtatë ose tetë javësh”.

Të paktën kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm Antonio Tajani, teksa mes Italisë dhe Francës është në diskutim furnizimi me sistemin antiraketë Samp-T.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore