Lajme

Nura e Lladrovci pas homazheve: Nderuam rezistencën e familjes Jashari


Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura dhe ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci gjatë homazheve me bashkëpunëtorë tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura dhe ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci kanë bërë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në 24-vjetorin e sulmit të dytë nga forcat serbe ndaj familjes Jashari, ku kanë thënë se kanë nderuar familjes Jashari për rezistencën kundër armikut.

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura pas homazheve ka thënë se është obligim institucional para qytetarëve dhe para historisë që të nderojnë familjen Jashari dhe rezistencën e kësaj familje.

“Bashkë me kryetarin e Drenasit në mënyrë institucionale nderuam rezistencën e familje Jashari, e kemi obligim institucional para qytetarëve dhe para historisë”, ka thënë Nura.

Kurse, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se edhe sot kanë vazhduar traditën për t’i nderuar të rënët e kësaj familje.

“Ne e kemi vazhduar traditën si dy komuna që të bëjmë nderime në kompleksin e Jasharajve, sot kemi ardhur të nderojmë sulmin e dytë apo rezistencën e dytë të familjes Jashari”, ka thënë Lladrovci para mediave.

Homazhe kanë bërë edhe përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) së bashku me Bekim Jasharin.

Ndërsa në ora 9:00 të mëngjesit tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” ka bërë homazhe edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Ai ishte i shoqëruar nga kabineti qeveritar dhe një pjesë e deputetëve të pozitës, e ku më pas kanë vizituar familjen Jashari, Kullat e Jasharajve, dhe shtëpinë e Salë e Hamit Jasharit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore