Lajme

Numri i viktimave nga tërmetet në Turqi dhe Siri i kalon 23 mijë


Lajmi është i përditësuar…

Numri i të vdekurve pas tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë këtë javë është rritur në 23 mijë e 726, sipas autoriteteve.

Në Turqi, numri i të vdekurve është rritur në të paktën 20 mijë e 213 me 80 mijë e 52 të tjerë të raportuar të lënduar, sipas ministrit turk të Shëndetësisë Fahrettin Koca.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve në Siri është 3 mijë e 384 – përfshirë 2 mijë e 166 në zonat e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim, sipas grupit të mbrojtjes civile të Helmetave të Bardha – dhe 1 mijë e 347 vdekje në pjesët e kontrolluara nga qeveria të Sirisë, sipas mediave shtetërore siriane.

Numri i personave të lënduar në Siri në të gjitha territoret e prekura është 5 mijë e 245, me 2 mijë e 295 në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe 2 mijë e 950 në zonat e kontrolluara nga rebelët.

Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, deklaroi më herët se hetimet gjyqësore kanë filluar për ndërtuesit në rajonet e prekura nga tërmeti vdekjeprurës i së hënës, sipas medias shtetërore turke Anadolu.

“Zyrat tona të kryeprokurorëve publikë filluan kudo hetimet e tyre gjyqësore në lidhje me këto ngjarje”, tha Bozdag gjatë një konference për shtyp.

Bozdag tha se 206 prokurorë publikë janë emëruar nga Këshilli i Gjykatësve dhe Prokurorëve të vendit për të menaxhuar proceset gjyqësore në zonat e goditura nga tërmeti, raportoi Anadolu.

Bozdag tha gjithashtu se po merren masat e nevojshme për të arrestuar personat përgjegjës dhe për të vendosur një ndalim të udhëtimit të tyre ndërkombëtar.

Inxhinieri strukturor i USGS-së, Kishor Jaiswal tha për CNN të martën se Turqia ka përjetuar tërmete të rëndësishme në të kaluarën, duke përfshirë një tërmet në vitin 1999 që goditi Turqinë jugperëndimore dhe vrau më shumë se 14 mijë njerëz.

Për shkak të kësaj, tha ai, shumë pjesë të Turqisë kanë rregullore rajonale të ndërtimit për të siguruar që projektet e ndërtimit të përballojnë këto lloj ngjarjesh.

Por jo të gjitha ndërtesat janë ndërtuar sipas standardit modern sizmik turk, shtoi Jaiswal.

Mangësitë në projektim dhe ndërtim, veçanërisht në ndërtesat e vjetra, nënkuptojnë se shumë ndërtesa nuk mund të përballonin ashpërsinë e goditjeve.

“Nëse nuk po i projektoni këto struktura për intensitetin sizmik që mund të përballen në jetën e tyre të projektimit, këto struktura mund të mos funksionojnë mirë”, theksoi inxhinieri.

Tërmeti dhe pasgoditjet e së hënës në Turqi dhe Siri kanë lënë më shumë se 22 mijë të vdekur.

Tragjedia ka tejkaluar shifrat nga tërmetet e tjera vdekjeprurëse, duke përfshirë fatkeqësinë në Fukushima të Japonisë në vitin 2011.

Më 11 mars 2011, një tërmet me magnitudë 9.0 goditi brigjet e Japonisë, duke shkaktuar një cunami që shkaktoi një shkrirje bërthamore në termocentralin dhe një lëshim të madh të materialit radioaktiv.

Ishte katastrofa më e keqe bërthamore në botë që nga Çernobili në vitin 1986.

Totali i përgjithshëm i vdekjeve të konfirmuara dhe të zhdukurve ishte më shumë se 22 mijë (gati 20 mijë vdekje dhe 2,500 të zhdukur).

Vdekjet u shkaktuan nga tërmeti dhe cunami fillestar dhe nga kushtet shëndetësore pas katastrofës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore