Kosova

Nuk ka takim trepalësh në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi


Besnik Bislimi dhe Mirosllav Lajçak

Të mërkurën e 17 nëntorit në Bruksel kanë përfunduar bisedimet midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit evropian, por pa takim trepalësh mes tyre.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit të fundit me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për bisedime, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se janë zhvilluar disa takime dypalëshe me zyrtarët evropianë dhe se temat e diskutimit kanë qenë energjia, të zhdukurit e luftës dhe përfaqësimi në nismat rajonale.

Bislimi ka hedhur poshtë akuzat e Serbisë se pala kosovare është fajtore për mungesën e takimit trepalësh, dhe sipas tij pala kosovare nuk dëshiron të diskutojë tani për çështje që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë sepse ato, sipas tij, “duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”.

Ai tha se ekziston një “marrëveshje parimore”, në bazë të së cilës, në takimet e përbashkëta diskutohen vetëm temat për të cilat bien dakord të dyja palët, raporton Radio Evropa e Lirë.

Bislimi tha se në takimet në Bruksel është biseduar edhe për lirinë e lëvizjes, si dhe për rastin kur Serbia, sipas tij, e ka shkelur në mënyrë flagrante marrëveshjen për lëvizje të lirë, duke mos lejuar që boksierët nga Kosova të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që është mbajtur javë më parë në Beograd.

Zëvendëskryeministri, shfaqi shpresën se do të mund të gjendet një zgjidhje, që do të mundësojë që edhe qytetarët në Veri të Kosovës të paguajnë rrymën.

Bislimi ka bërë të ditur se është folur edhe për, siç u shpreh, “pengesat që i ka bërë Serbia Kosovës në transferimin e 100 mijë eurove, të dedikuara për Preshevën”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Alexander Vuçiç, gjatë takimit të parë në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi më 15 qershor

Ai tha se ka biseduar me zyrtarët evropianë edhe për lejimin e vizitës së Petkoviçit në Kosovë dhe sqaroi se autoritetet e Kosovës ia kanë ndaluar atij vizitat, për shkak të “gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes”, që ka përdorur gjatë vizitave të mëparshme.

Diplomati sllovak Lajçak, si ndërmjetësues i dialogut, gjatë ditës së martë kishte shkruar në Twitter “se është koha për ‘përparim të vërtetë’ në bisedime”.

Këtë javë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka paralajmëruar mundësinë e një takimi midis Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, para fundit të vitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore