Lajme

“Nuk është dialogu vetëm po apo jo”, Escobar i kërkon përqasje të re Qeverisë së Kosovës


I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Ballkan, Gabriel Escobar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që ka ardhur koha për një përqasje të re në dialogun me Serbinë.

Lajmi u bë i ditur për transmetuesin “Zëri i Amerikës”, duke cituar intervistën me zyrtarin amerikan.

“Nëse do të më duhej të thoja diçka, nuk do të jetë për një përqasje të re nga partnerët brenda dialogut. Ka ardhur koha për një përqasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm ‘po apo jo’. Dhe e kam fjalën konkretisht për qeverinë e Kosovës”, deklaroi fillimisht Escobar.

Sipas tij, autoritetet kosovare kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë.

“Mendoj se deklarata e Borrell-it ishte shumë e qartë. Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu vazhdojmë t’i kërkojmë Serbisë të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për rajonin përveç integrimit evropian”, theksoi në përmbyllje Gabriel Escobar.

Ndërtimi i situatës

Qeveria e Kosovës ka bërë përgjegjës për dështimin e raundit të ri të negociatave për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin BE-së përgjegjësinë diplomatin sllovak, Miroslav Lajçak i cili, sipas autoriteteve kosovare, javën e fundit e ka “mbushur kupën” me pocizionimin e tij në favor të Serbisë e kundër Kosovës.

E për këtë është i bindur kryeministri kosovar, Albin Kurti, i cili, në një konferencë për media në Prishtinë, flirtoi me teorinë e konspiracionit dhe komplotit.

Ai ka thënë se ekziston një skenar, i hartuar nga diplomati sllovak dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të dëmtuar të ardhmen e Kosovës në procesin e mëtejmë të dialogut.

BE-ja megjithatë i ka konsideruar “akuza të pabaza” pretendimet e autoriteteve kosovare për njëanshmërinë e Lajçak-ut, ndërsa bashkësia e organizuar ndërkombëtare ka bërë me dije se pavarësisht këtyre “akuzave të pabaza”, terreni i kërkimit të madh për “shkakun e vetëm” dhe “formulën e zgjidhjes” vazhdon të mbetet Brukseli.

Presidentja Osmani ndërkohë ka filluar të marrë një rol më aktiv në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, posaçërisht në një kohë kur marrëdhëniet mes Qeverisë së Kosovës dhe pjesës tjetër të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare janë në gradën e fundit për shkak të degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore