Lajme

Nuk do të ketë zonë të ndalim-fluturimit në Ukrainë, thotë NATO


NATO e ka përjashtuar “zonën e ndalim-fluturimit” në Ukrainë.

Kështu ka bërë me dije sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, gjatë një konference për mediat.

Ai theksoi se, NATO-ja nuk është palë në konfliktin në Ukrainë, por ofron mbështetje për mbrojtjen e Ukrainës.

“Ukraina ka të drejtë të mbrohet kundër luftës ilegale të Rusisë”.

Po ashtu në atë konferencë Stoltenberg bëri me dije se nuk ka më asnjë dyshim se raketat e rëna në territorin polak mbrëmjen e 15 nëntorit, të cilat shkaktuan dy persona të vdekur, janë lëshuar nga sistemi i Mbrojtjes ukrainase.

Duke treguar mbështetjen maksimale për Poloninë në këto çaste të ndërlikuara lufte, Stoltenberg pranoi se hedhja e raketave nuk ishte e qëllimshme, nga të dhënat që palët kanë në disponim deri tani dhe se hetimi më i thelluar duhet të vijojë.

Megjithatë, sërish, fajtore për atë çfarë ka ndodhur është Rusia, pasi agresioni i vazhdueshëm i kësaj të fundit, ka bërë që lufta të rikthehet në kontinentin e vjetër dhe ngjarje të tilla të marrin vend, ku persona të pafajshëm kanë humbur jetën.

Përtej kësaj, organizata do të vijojë të japë ndihma për Kievin, përfshi edhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Kjo, pavarësisht incidentit që ka ndodhur në Poloni.

Ndërsa, nga ana tjetër, kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, deklaroi se momentalisht, nuk është i nevojshëm aktivizimi i nenit katër të NATO-s, i cili do të nënkuptonte veprimin e menjëhershëm të aleancës kundrejt agresionit ndaj një vendi anëtar.

Njëtrajtshëm, vetë presidenti polak, Andrzej Duda, ka bërë me dije të njëjtin variant pas hetimeve të para mbi ngjarjen, në të cilat theksohet se dy raketat që ranë në territorin polak dhe lanë të vrarë dy persona, janë lëshuar nga sistemi mbrojtës ukrainas.

I njëjti version është dhënë edhe nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili bëri me dije se gjasat më të mëdha, janë ato se raketat nuk janë lëshuar nga Rusia, pa specifikuar detaje të çështjes.

Ndërsa, tre zyrtarë amerikanë, kanë thënë për agjencinë e lajmeve Associated Press se dy raketat e rëna në Poloni, të cilat i morën jetën dy personave, nuk janë lëshuar nga Rusia por nga pala ukrainase.

Raketat e rëna në Poloni janë lëshuar nga Ukraina, sipas 3 zyrtarëve amerikanë

Kjo, në përpjekje për të interceptuar disa raketa të tjera ruse, të cilat do të godisnin zonën perëndimore të Ukrainës.

Duke cituar AP-në, për shkak se ende nuk lejohen deklarat zyrtare mbi çështjen, tre zyrtarë të lartë amerikanë kanë pohuar në kushtet e anonimatit se raketat, edhe pse të prodhimit rus, janë lëshuar nga Kievi për të shkatërruar raketat e vërteta të lëshuara nga Rusia.

Në të tilla kushte, merr vlerë shtesë edhe deklarata e presidentit amerikan, Joe Biden, nga Bali i Indonezisë, ku po merr pjesë aktualisht në samitin e vendve të G20.

Nga ana e Kremlinit, është përshëndetur ky qëndrim i amerikanëve, i cili është cilësuar si “i matur”.

“E vlerësojmë përgjigjen e matur të SHBA-ve ndaj lajmit të rënies së raketave në Poloni”, tha zëdhënësi për shtyp i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ndërtimi i ngjarjes

Pas raportimeve në mediat polake, erdhi deklarata e një zyrtari të lartë të inteligjencës amerikane, i cili tha se raketat ruse kaluan në Poloninë anëtare të NATO-s, duke vrarë dy persona.

Më pas u vendos mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Polonisë, e cila sapo përfundoi.

Aleatët reaguan menjëherë duke u shprehur se po kryejnë verifikime dhe se solidarizohen me Poloninë.

Raketat ruse goditën një zonë ku po thahej gruri në Przewodów, një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën.

Në mesditë, Rusia goditi objektet energjetike të Ukrainës me breshërinë e saj më të madhe të raketave deri më tani.

Ajo goditi objektiva nga lindja në perëndim dhe duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

Moldavia fqinje u prek gjithashtu. Ajo raportoi ndërprerje masive të energjisë pasi sulmet rrëzuan një linjë kryesore të energjisë që furnizon vendin e vogël.

Nuk ka nevojë të zbatohet neni 4 i traktatit të NATO-s, thotë kryeministri polak

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore