Sport

Notarja kuqezi e rekordeve, Merizaj, flet për Albanian Post: Ia dola!


Dy rekorde kombëtare dhe dy norma të arritura në Kampionatin Botëror.

Notarja shqiptare, Nikol Merizaj, tashmë ka hyrë në historinë e notit shqiptar si e vetmja që ka arritur të kapë kohën limit të tabelës, duke u renditur e 28-ta në botë, nga 60 notarë pjesëmarrës.

Meziraj, së bashku me tre notarët e tjerë: Katie Rock, Kledi Kadiu dhe Dalvi Elezi, përfaqësuan vendin tonë në Kampionatin Botëror të Notit për pishina 25 metër, i cili po mbahet në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe nga data 16 deri në 25 dhjetor.

23-vjeçarja arriti të thyente dy rekorde kombëtare.

Ajo u rendit e 36-ta nga 89 pjesëmarrës në pishinë 50 metër stil të lirë, duke e përfunduar garën në kohën 25 sekonda e 40 të qindtat.

Megjithatë, ky sukses nuk ka ardhur rastësisht. Prej gjashtë vitesh, ajo stërvitet 10 sesione në javë.

“Çdo stërvitje, e bëj këtë, në mëngjes dhe pasdite për dy orë”, thotë Merizaj për Albanian Post.

Vendi ku ajo përgatitet është Selaniku, “pranë ekipit të PAOK-ut, një ndër ekipet më të mira në Greqi, me trajner Anastasios Chatzigeorgiou-n”.

Meritë, sipas notares kuqezi, ka edhe ky i fundit, me të cilin gjithmonë “kam punuar dhe besuar që do të arrinim të kapim normat e tabelës së FINA për në kampionat botëror, dhe ia arritëm!

Objektivat e radhës

Sfida më e madhe për Merizajn, tani mbetet të kapë normat për në Lojërat Olimpike të Parisit, që mbahen në vitin 2024. Më herët, ajo ka qenë në Rio 2016 dhe Tokio 2020.

“Për në Lojërat Olimpike Paris 2024 akoma është herët që FINA të publikojë normat olimpike”, përmbyll ajo. “Besoj se vitin që vjen do të publikohen dhe sigurisht ai është dhe synimi im kryesor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore