Lajme

Nornickel-i paguan dëmshpërblimin për ndotjen ndaj Arktikut


Nornickel, kompania ruse e metalurgjisë, ka paguar më shumë se 146 miliardë rubla dëmshpërblim për një derdhje vitin e kaluar që hodhi mijëra tonë naftë në Arktikun Rus.

Raportuesi i lajmit, Radio Free Europe/Radio Liberty (RFE/RL), tregon se kompania metalurgjike është në pronësi të njeriut më të pasur në Rusi, Vladimir Potanin.

Në një deklaratë, ai tha se filiali i kompanisë, Norilsk Taimyr Energy Company (NTEK), ka marrë shumën nga Nornickel-i dhe ka paguar tërësisht të gjitha tarifat që duheshin paguar.

RFE/RL shkruan se muajin e kaluar, Gjykata e Arbitrazhit e qytetit KrasnoRaarsk, ka vendosur që pothuajse e gjithë shuma, e cila përbën çmimin më të madh ligjor në historinë ruse, të shkojë në thesarin federal.

Ndërkohë, afërsisht 1.3 miliardë rubla duhet të shkojnë në buxhetin e qytetit të Norilsk-it. Qytet në të cilin rrodhën në mjedis më shumë se 21 mijë tonë naftë nga një rezervuar në termocentralin e NTEK-ut në maj të vitit të kaluar.

Rosprirodnadzor, mbikqyrësi mjedisor rus, fillimisht kërkoi 148 miliardë rubla në kompensim për derdhjen, e cila shënon katastrofën më të madhe ekologjike të Arktikut.

Kompania, e cila është edhe prodhuesja kryesore në botë e nikelit dhe paladiumit, arsyetoi se rrjedhja ishte shkaktuar nga shtyllat që mbështesnin një rezervuar depozitimi që po mbytej për shkak të shkrirjes së përhershme të tokës së ngrirë.

Në muajin nëntor, vëzhguesi bërthamor dhe mjedisor i Rusisë, Rostechnadzor, doli në përfundimin se “katastrofa u shkaktua nga shkelje teknike të ndërlidhura dhe shkelje organizative të kryera si në fazën e ndërtimit të cisternave, ashtu edhe gjatë funksionimit të tyre”.

Pasi masa e derdhjes u bë e njohur, presidenti Vladimir Putin urdhëroi gjendjen e jashtëzakonshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore