Jetesë & Stil

Noizy e quan “ekstremist fetar” të dyshuarin për zjarrvënie të lokalit të tij


Noizy dhe Eraldo Musteqja

Rep artisti Noizy ka reaguar mbi zjarrvënien e lokalit të tij “Zins” që ndodhi për herë të dytë brenda më pak se një muaji.

Përmes një postimi në llogarinë e tij të Instagramit, Noizy ka publikuar dy imazhe të dyshuarit 26-vjeç, tashmë të arrestuar nga autoritetet shqiptare, Eraldo Musteqjen – derisa, të njëjtin e ka cilësuar “ekstremist fetar”.

Noizy, emri i vërtetë i të cilit është Rigels Rajku, ka thënë se i dyshuari është rritur nga familja e rep artistit, teksa aktin e zjarrvënies së Eraldos e ka quajtur “akt terrorist”.

“Ky është Eraldo, i rritur nga familja ime. Që në fëmijëri ai ndërroi fe, u bë një besimtar ekstremist dhe kishte besime të forta se lokalet nuk duhet të shesin alkool dhe se muzika është haram. Prandaj vendosi që të bëjë atë akt terrorist”, ka mbishkruar Noizy.

Ylli i hitit “Dhimbje”, ka thënë se uron që i dyshuari ta kuptojë gabimin, derisa ka shtuar se tani e tutje janë organet e drejtësisë ato që do të merren me të.

“Gjithsesi, jeta vazhdon, unë dhe familja ime jemi të gjithë të mirë. Uroj që Eraldo të bëhet mirë dhe ta kuptojë gabimin. Unë s’mund ta urrej sepse jam rrit me të, ia kam lënë në dorë Zotit dhe drejtësisë”, ka shtuar ai.

Postimin e tij, rep artisti e ka përfunduar duke u shprehur se – “ziliqarë e keqbërës do të ketë përherë, por varet sa i fortë qëndron ti dhe se si e manxhon situatën. Të dua vëllai im i vogël”.

Gjithsesi, autoritetet kanë arrestuar Eraldo Musteqjen si person i dyshuar për zjarrvënie të përsëritur ndaj lokalit të familjes Rajku dhe i njëjti është arrestuar në flagrancë në mëngjesin e 29 qershorit. Në momentin e arrestimit, të afërmit të Noizyt iu gjet një mjet prerës (thikë).

Ndërtimi i ngjarjes

Më pak se tre javë pas një incidenti të ngjashëm, biznesi i familjes Rajku u përfshi nga flakët në orët e para të 29 qershorit.

Kujtojmë, që lokali gjendet në zonën e Currilave dhe është në pronësi të babait të këngëtarit të njohur.

Kjo është hera e dytë që digjet brenda një muaji lokali i familjes Rajku, ndërsa ngjarja dyshohej sërish të ishte e qëllimshme.

Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie, zjarrfikëse si dhe autoambulanca.

Më 11 qershor, i njëjti lokal në qytetin e Durrësit u përfshi sërish nga flakët.

Sipas informacioneve paraprake pista kryesore e hetimit asokohe ishte zjarrvënia e qëllimshme.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijoi punën për sqarimin e rrethanave të këtij rasti, si dhe për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore