Lajme

“Njolla në fanelën e bardhë shihet më shumë” – Ahmeti thotë se ambasadori Berishaj duhet të dorëhiqet


Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti

Njolla në fanelën e bardhë shihet më shumë, rikujtoi Shpend Ahmeti, ishte thënia që përdorej shpesh në mbledhjet e Këshillit të Përgjitshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, në kohën kur edhe ai ishte pjesë e partisë.

Këtë rikujtim Ahmeti e bëri referuar raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në një skemë shpërlarje parash.

“Nuk e di se a ka dorëzuar Martin Berishaj 600 mijë euro në Slloveni. Por që është njollë – është –  qoftë edhe për deklarim të rrejshëm të pasurisë. Krahasimi me qeveritë e kaluara është si fanela e bardhë me atë me ngjyrë. Që kjo mos të bëhej kaq e madhe z. Berishaj do të duhej të dorëhiqej. Edhe në qoftë se është i pafajshëm, që t’i hap rrugë hetimeve”, shkroi Ahmeti në Facebook.

“E presidentja e posaçërisht kryeministri nuk kanë nevojë ta mbrojnë verbërisht, por vetëm të thirren në hetim e qartësim. Kështu edhe pastërtia do të ishte më e madhe”, tha Ahmeti.

Në të njëjtën kohë, Ahmeti, edhe politn tjetër të tregimit, atë të opozitës, e quan
“stretching it too far”.

“Teoritë e opozitës për një skemë ndërkombëtare energjetike janë zgjatim i tepërt – stretching it to far thojnë anglisht. Edhe po të jetë z. Berishaj “sekser” i Hamoviqit e Fazliqit, vështirë se është skemë e organizuar nga Albini. Prandaj edhe qytetarët e posaçërisht votuesit e qeverisë çkyçen kur dëgjojnë teori të tilla nga Abelardi et co”.

“Opozita do të fitonte shumë më shumë pikë po të fokusohej në shkeljet ligjore në Kosovë nga Z. Berishaj dhe me të drejtë në hetimin parlamentar për ngjarjet në energjetikë”, tha Ahmeti mes tjerash.

Në këtë moment edhe qeveria do të përfitonte shumë nga ky hetim, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore