Lajme

“Njeriu Merimangë” i Sudanit kthehet në simbol të rezistencës


Aktivistët e Sudanit do të rezistojnë paçka dhunës dhe arrestimeve.

Të paktën, i këtij mendimi është ai që është përballur me gazin lotsjellës dhe plumbat me një kostum superheroi.

“Njeriu Merimangë” i Sudanit, emri i të cilit nuk mund të përmendet për sigurinë e tij, është bërë simbol i protestave që nisën në tetor.

Me kostumin dhe maskën tij përherë e më të dëmtuar, ai dhe demonstruesit e tjerë përballen me bombola gazi lotsjellës, topa uji dhe shpesh me plumba të vërtetë.

Gjatë protestave, shoku i tij i fëmijërisë u vra nga forcat e sigurisë, të cilët janë akuzuar për sulme seksuale ndaj grave dhe ndjekje të aktivistëve.

Prandaj dhe e veshi kostumin në shenjë homazhi për të, për kujtimin e tyre të fëmijërisë se si rrjeta mund t’i mbronte nga armiqtë.

Ai ka qenë në mesin e qindra mijëra njerëzve, protestat e të cilëve në vitin 2019 çuan në rënien e diktatorit Omar al-Bashir dhe krijimin e një qeverie kalimtare, e cila u rrëzua nga një grusht shteti ushtarak në tetor 2021.

“Partitë kundër-revolucionare vodhën revolucionin e Sudanit. Ata janë si qeveria e mëparshme. Nuk ka asnjë dallim mes tyre”, ka thënë ai.

Për të, ata janë “diktatorë dhe duan vetëm kontroll”.

Në një takim sekret të një komiteti rezistence, që koordinon veprimet e lokalizuara rreth Sudanit, ai dhe shokët e tij aktivistë folën sesi ndiheshin të bashkuar me popullin sudanez në qëllimin e tyre për të përmbysur ushtrinë.

Këtë, pavarësisht nga dhuna e përdorur kundër tyre.

“Nata vjen e shkon, çdo ditë është kështu. Me vullnetin e Zotit, ende dalim. Vazhdojmë të përpiqemi për të çliruar vendin, por nuk kemi frikë. Populli i Sudanit do të vazhdojë të përballet me forcat e sigurisë dhe plumbat e tyre”, ka theksuar ai.

Që nga tetori, të paktën 95 njerëz janë vrarë në protesta, sipas Komitetit Qendror të Mjekëve Sudanezë.

Ky grup pro-reformës ka paralajmëruar për rritjen e përdorimit të armëve të gjahut nga forcat e sigurisë, që ka sjellë një numër të madh viktimash.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore