Lajme

Njëri nga fëmijët që u godit nga vetura në Pejë në gjendje të rëndë shëndetësore


Qendra Klinike Universitar i Kosovës (QKUK).

Njëri nga fëmijët e lënduar nga aksidenti në Pejë është transferuar në Mjekimin Intensiv Qendror për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i kësaj klinike, Naser Syla për Albanian Post.

“Po i njëjti është trajtuar mbrëmë te ne në Qendrën Emergjente dhe pastaj është transferuar në Mjekimin Intensiv Qendror për trajtim të mëtutjeshëm. Gjendja e pacientit është e rëndë por stabile momentalisht”, ka thënë Syla.

Ndërsa, në raportin e Policisë së Kosovës është njoftuar se tashmë është arrestuar personi i dyshuar që shkaktoi aksidentin.

“Katër viktimat janë dërguar për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

Edhe nga Prokuroria Themelore e Pejës, është konfirmuar se i dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orës për shkak të veprës penale “Rrezikim i trafikut publik”.

23 persona kishin mbetur të vdekur si pasojë e aksidenteve në tre mujorin e parë të vitit 2023.

Në muajin prill, Policia e Kosovës kishte prezantuar raportin tre mujor me statistikat analitike mbi gjendjen në trafikun rrugor në vend, ku u tha se për tre mujorin e parë të këtij viti, 23 persona kanë mbetur të vdekur në aksidentet që kanë ndodhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore