Lajme

Njerëzit u goditën nga një substancë e panjohur, tregon dëshmitari nga Kramatorsk-u


Një gazetar nga Kramatorsk-u ka qenë dëshmitar i bombardimeve të stacionit hekurudhor.

Ai foli për tmerrin e përjetuar gjatë transmetimit të “Channel 24”.

“Kur vrapova pashë sesi xhamat godisnin njerëzit. Gjithashtu, u goditëm nga një substancë e panjohur që nuk hiqet nga lëkura. Kam disa djegie prej saj. Largohuni nga dritaret. Ky është një rrezik shumë i madh”, tregoi fillimisht gazetari.

Sipas dëshmitarit, shumë prej njerëzve ishin me kafshët e tyre shtëpiake. Ato gjithashtu u plagosën.

Si rezultat i bombardimeve të stacionit hekurudhor, të paktën 50 njerëz mbetën të vrarë dhe shumë të tjerë u plagosën.

“Njerëzit po prisnin trenin. Pas shpërthimit, të gjithë ranë përtokë. Fillova të vrapoja dhe shpëtova. Sepse pjesa tjetër u kthye në një thertore, tmerr i pabesueshëm”, shtoi gazetari.

Sipas tij, flaka u përhap shumë shpejt.

Kreu i rajonit të Donetsk-ut, Pavlo Kirilenko, deklaroi më herët se gjatë sulmit me raketa, në stacion ndodheshin mijëra njerëz.

Kjo, për shkak se vazhdon evakuimi i banorëve të rajonit të Donetsk-ut drejt rajoneve më të sigurta të Ukrainës.

Nga Kramatorsk-u do të evakuohen përmes rrugës të gjithë banorët e rajonit të Donetsk-ut, të cilët mund të shkojnë në qytet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore