Lajme

“Njëherë Asociacioni, më vonë njohja reciproke” – Mesazhet e Power në Kosovë


Samntha Power

“Ulja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ky ishte qëllimi i Shefes së Agjencisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, në vizitën e saj fillimisht në Serbi, dhe më pas në Kosovë.

Para se të fillonte takimet, para gazetarëve në Serbi bëri të qartë misionin e saj: Të transmetojë fjalën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

“Mesazhi kryesor i Presidentit Biden është se sa i rëndësishëm është procesi i normalizimit dhe sa shumë ne duam ta mbështesim procesin, dhe jemi të inkurajuar nga përparimi që është bërë deri më tani”, tha Power para gazetarëve në Serbi.

Presidenti i Shteteve te Bashkuara te Amerikes, Joe Biden.

Power, që njihej si “dora e djathë” e ish-presidentit të ShBA-ve, Barack Obama, pasi përfundoi vizitën e saj dy ditore në Serbi, u nis për të kryer pjesën tjetër të detyrës që kishte; mesazhet që i transmetoj atje, tani ishte radha që t’i thotë në Kosovë.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe – ishte tema që top-diplomatja amerikane do ta theksonte më së shumti.

“Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është një hap absolutisht kritik që duhet të ndërmerret, për të siguruar që normalizimi të mund të vazhdojë”, tha Power me të ardhur në Kosovë, ende pa takuar ndonjë nga krerët e institucioneve të Kosovës.

“Sigurisht kjo është diçka që zyrtarët në Serbi e ngritën dhe e konsiderojnë shumë të rëndësishme, ashtu si edhe njerëzit në këtu. Kështu që unë mendoj se për ne është më pak se a jemi optimistë e gjëra të tilla, dhe më shumë për angazhimin e të gjitha palëve të shohin se cilat do të jenë përfitimet, nëse mund të ndërmerren këto hapa të vështirë. Përsëri, marrëveshja është aty, ka urgjencë, për shembull, për të krijuar Asociacionin”, tha ajo gjatë një vizite në qytetin e Gjilanit.

Takimi me Kurtin

Në mesditën e së premtes, Power së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pasi përfunduan takimin mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Top-diplomatja amerikane i tregoi e para publikut se çfarë bisedoi me Kurti: “Për urgjencën e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe implementimit të plotë të gjitha pikave të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit”.

Si përfaqësuese e lartë administratës Biden, Power, garantoi se pozicioni i SHBA-ve ka qenë dhe do të jetë gjithmonë që “normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me njohjen reciproke”.

Megjithatë në këtë fazë, SHBA-të, sipas saj, e kanë orientuar fokusin në rendësin e themelimit të Asociacionit si dhe në rendësin që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës sa më parë që është e mundur.

“Pozicioni i SHBA-ve ka qenë gjithmonë që normalizimi duhet të përfundojë me njohjen reciproke dhe kjo vazhdon të mbetet qëndrimi ynë, por tani jemi duke sjell fokusin në rëndësinë e Asociacionit si dhe rëndësinë që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës sa më parë që është e mundur, sepse kjo do të jetë shumë e rëndësishme në aspektin e stabilitetit”, tha fillimisht ajo në një konferencë për media.

“Kemi pasur diskutime të gjera në lidhej me urgjencën e krijimit të Asociacionit dhe po ashtu për urgjencën e implementimit të plotë të gjitha aspekteve të Marrëveshjes dhe po ashtu kemi shpresë që palët do të kalojnë në fazën e ardhshme të dialogut me propozime shumë specifike”, shtoi ajo.

Samantha Power dhe Albin Kurti

E përmbylli me Kurtin, radha e Osmanit

Në orët e para të mëngjesit të së shtunës, Samntha Power, vizitoi zyrën e presidencës së Kosovës, aty u prit nga shefja e zyrës, Vjosa Osmani.

Siç bëri me Kurtin, ndodhi edhe me Osmanin. Pas takimit mbajtën konferencën për media.

Osmani nuk dha shumë detaje nga takimi, pjesa më e madhe e fjalimit të saj ishte falënderues, dhe një fjalie që tha se pavarësisht tendencave destabilizuese të disa autokratëve, Kosova do të vazhdojë përpara, duke e drejtuar gishtin drejtpërdrejtë nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ndryshe nga Osmani, diplomatja amerikane ishte më e drejtpërdrejtë dhe më e qartë gjatë fjalës së saj në konferencën për media, ku nuk u lejua të bëhej asnjë pyetje nga gazetarët që ishin mbledhur aty.

“Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të ndihmonte në procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ishte mesazhi kryesor i Samatha Power pas takimit me Osmanin.

“Biseduam për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kompleksitetin e këtij dialogu të gjithë e kanë parasysh. Mirëpo, kam dëgjuar se qytetarët e Kosovës mendojnë se kjo është rruga e duhur se si duhet të vazhdohet tutje”, tha ajo.

“Me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do t’i ndihmohej procesit të normalizimit të marrëdhënieve, dhe me këtë edhe zhvillimit ekonomik”, shtoi Power.

Për të treguar se e ka përçuar mesazhin e njëjtë si tek Kurti ashtu edhe tek Osmani, top-diplomatja amerikane e pohoi vetë.

“Në takimet me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti – kam treguar mbështetjen që ShBA-të i japin tërë procesit të dialogut”, deklaroi ajo.

Vjosa Osmani dhe Samantha Power

Ndryshe, në vizitën e saj në Serbi dhe në Kosovë, Shefja e Agjencisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, bëri të qartë se ShBA-të duan që raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë të normalizohen.

Po ashtu, ajo ishte e qartë se Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ndërsa, deri më tani për Asociacionin janë prezantuar dy draft-statute; të dyja këto në takimin e nivelit të lartë në Bruksel me 2 maj, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Një u prezantua nga Ekipi Menaxhues, që kryesohej nga deputetja e kuvendit të Serbisë, Danjela Vujçiç, dhe një nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Për Asociacionin e prezantuar nga Vujçiç, Kurti kishte thënë se është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe si i tillë nuk mund të pranohet. Ndërsa, modeli i tij – i bazuar në atë kroat, nuk po duket i mjaftueshëm nga pala serbe.

Duke pasur parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të Kosovës dhe Serbisë për temën e njëjtë, ndërmjetësi, në këtë rast BE-ja, është duke propozuar që të gjendet një mes këtu, apo siç njihet ndryshe në konceptet politike, një zgjidhje kompromisi, ku të dyja palët tërhiqen nga barrikadimi ku gjenden, dhe kjo të shërbejë në funksion të një zgjidhje përfundimtare.

Në vazhdën e kësaj, është caktuar që të hënën e 15 majit në Bruksel të mbahet një takim në mes të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviç, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përkatësisht nga i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak.

Kush është Samntha Power?

Power anëtarja e Partisë Demokratik momentalisht është shefja më e lartë e agjencisë e cila merret me zhvillim ndërkombëtarë që nga janari i vitit 2021 kur u emërua me dekretin e presidentit aktual të SHBA-ve, Joe Biden.

Ajo ka shërbyer më parë si ambasadore e 28-të e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara.

Si ambasadore e SHBA-ve në OKB, zyra e Power u fokusua në çështje të tilla si reforma në OKB, të drejtat e grave dhe të drejtat e komunitetit LGBT, liria fetare dhe pakicat fetare, refugjatët, trafikimi i qenieve njerëzore, të drejtat e njeriut, dhe demokracisë , duke përfshirë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, Sudanin dhe Mianmarin.

Top-diplomatja amerikane është një njohëse e mirë e dinamikave në Gadishullin Ballkanik meqë e njëjta filloi karrierën e saj si korrespodente e luftës duke mbuluar luftërat në ish-Jugosllavi.

Power ka shërbyer si këshilltare e lartë në fushën e politikës së jashtme, në atë botë të Senatorit amerikan, Barack Obama.

Top-diplomatja ka punuar gjithashtu si këshilltare e lartë për politikën e jashtme në fushatën presidenciale të vitit 2008 të Obamës.

Samantha Power dhe Barack Obama

Në vitin 2009, Presidenti Obama e emëroi atë në një pozicion në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të vazhduar më pas kryesimin e një Bordi për Parandalimin e Mizorive, me dekretimin e ish-presidentit të SHBA-ve, Barack Obamës.

Ajo konsiderohet të ketë qenë një nga figurat kyçe në administratën Obama që ka arritur ta bind presidentin për të ndërhyrë ushtarakisht në Libi.

Në vitin 2016, ajo u rendit si gruaja e 41-të më e fuqishme në botë nga revista prestigjioze Forbes.

Power, sa ishte gazetare kishte fituar një çmim Pulitzer (çmimi më i rëndësishëm në gazetari) në vitin 2003 për librin e saj “Një problem nga ferri: Amerika dhe epoka e gjenocidit një studim i përgjigjes së politikës së jashtme të SHBA-ve ndaj gjenocidit”.

Në vitin 2004, Power u emërua nga revista prestigjioze Time si një nga 100 njerëzit më me ndikim në botë atë vit.

Power gjatë vizitës së saj në Serbi, do të takohet me zyrtarë qeveritarë, shoqërinë civile, udhëheqës të biznesit dhe teknologjisë, gazetarë hulumtues, liderë të rinj dhe kampionë të të drejtave të aftësisë së kufizuar.

Joe Biden dhe Samantha Power

Ajo gjatë qëndrimit në Beograd do të nënvizojë mbështetjen e USAID-it për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.

Gjatë vizitës së saj në Kosovë Power gjithashtu do të takojë zyrtarë qeveritarë, përfaqësues të sektorit privat, ndërmarrës të rinj dhe novatorë, aktivistë lokalë dhe prodhues të fermave të vogla.

Power në Prishtinë do të theksojë përkushtimin e fortë të USAID-it për të ndihmuar në avancimin e integrimeve euroatlantike të Kosovës duke forcuar demokracinë, qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, duke promovuar pajtimin në mbështetje të demokracisë multietnike të Kosovës dhe duke punuar për të katalizuar mundësi të reja ekonomike për qytetarët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore