Lajme

Një zyrtar i BE-së është burgosur në Iran për më shumë se 500 ditë


Një shtetas suedez që punon për trupin diplomatik të Bashkimit Evropian është burgosur në Iran për më shumë se 500 ditë.

Kështu raporton gazeta amerikane “The New York Times”, duke shtuar se zyrtari evropian është kthyer në një mjet të rëndësishëm pazaresh për Teheran-in, ndërsa përpiqet të marrë lëshime nga Perëndimi.

Arrestimi është mbajtur i fshehur për më shumë se një vit nga autoritetet suedeze dhe të Bashkimit Evropian.

Sipas botimit amerikan, ajo duket të jetë pjesë e një modeli në zgjerim të asaj që është bërë e njohur si “diplomacia e pengjeve” të Iranit.

Teheran-i ka marrë në mënyrë oportuniste shtetas të dyfishtë iranianë dhe të huaj me akuza të rreme, duke kërkuar t’i tregtojë ata me iranianë të mbajtur në Evropë ose në Shtetet e Bashkuara, ose t’i përdorë ata si levë për të nxjerrë para dhe koncesione të tjera.

Muajin e kaluar Shtetet e Bashkuara përfunduan një marrëveshje me Iran-in për lirimin e pesë amerikanëve të mbajtur atje në këmbim të 6 miliardë dollarëve të ardhura të mbajtura nga nafta iraniane, si dhe lirimin e të burgosurve iranianë në Amerikë.

Megjithatë, ky rast i fundit, detajet e të cilit nuk janë raportuar më parë, bie në sy për formimin profesional të të burgosurit si zyrtar evropian.

Johan Floderus, 33 vjeç, me origjinë nga Suedia, ka mbajtur disa pozicione në institucionet e Bashkimit Evropian, duke dalë përmes programit të tij të stazhit të shërbimit civil.

Ai madje u shfaq në një fushatë reklamuese për të tërhequr të rinjtë suedezë në karrierën e Bashkimit Evropian.

Floderus vizitoi Iran-in pranverën e kaluar në atë që njerëzit e njohur me rastin e përshkruan si një udhëtim privat turistik, së bashku me disa miq suedezë.

Ndërsa përgatitej të merrte fluturimin e tij nga Teherani më 17 prill 2022, ai u ndalua në aeroport.

Në korrik të vitit të kaluar, qeveria iraniane lëshoi një deklaratë duke njoftuar se kishte kapur një shtetas suedez për spiunazh.

Ai tani po mbahet në burgun famëkeq Evin në kryeqytetin iranian.

“The New York Times” foli me gjashtë persona me njohuri të dorës së parë për rastin në kushte anonimiteti.

Ata mohuan që Floderus të ishte përfshirë në spiunazh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore