Shqipëria

Një vit SPAK, çfarë arriti prokuroria e posaçme?


Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nisi rrugëtimin e saj në 19 dhjetor 2019, fillimisht me tetë prokurorë dhe më pas me pesë të tjerë të shtuar gjatë 2020-ës.

Anëtarët e SPAK betohen përpara presidentit Meta
Çfarë ka arritur SPAK, tashmë një vit pas themelimit dhe cilat kanë qenë çështjet më të bujshme?

Vetë Prokuroria e Posaçme ka bërë një bilanc për punën gjatë vitit të parë, duke e cilësuar si një vit të suksesshëm për ta.

Në ndarjen e paraqitur në bilanc, SPAK ka regjistruar gjatë 12 ditëve të para të punës së saj 225 procedime penale me 271 persona në hetim. Pjesa më e madhe kanë ardhur nga Prokuroria për Krime të Rënda ndërsa pjesa tjetër nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore dhe procedime të kthyera për hetim nga Gjykata e Posaçme.

Më shumë se gjysma e procedimeve lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ndërkaq, për vitin 2020, SPAK ka regjistruar 343 procedime penale me 433 persona në hetim. Gjysma e tyre lidhen sërish me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Pra, në total, gjatë vitit të parë të punës së SPAK-ut, kemi 162 procedime penale për krimin e organizuar, 240 për veprat penale që lidhen me korrupsionin dhe 166 procedime penale për vepra të tjera.

Por cilat kanë qenë çështjet që kanë ngjallur më shumë debat?

Ndër dosjet më të bujshme të regjistruara në SPAK është ajo 184, ku u hetuan disa përgjime të publikuara nga gazetari gjerman Peter Tiede i BILD. Në këto përgjime, pretendohej se ishin vjedhur votat për kryetar të bashkisë Dibër nga eksponentë të Partisë Socialiste dhe militantë të saj.

Ndër kryesorët për shitblerje votash, u kallëzuan deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, kryebashkiaku aktual i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj dhe kryetari aktual i Bashkisë Mat, Agron Malaj.

Kjo çështje kreu disa herë lëvizje midis Tiranës dhe Dibrës, deri në çastin kur shkoi në SPAK. Çështja përfundimisht u finalizua në Prokurinë e Dibrës, pasi SPAK deklaroi se nuk kishte kompetencë për ta hetuar.

Dosja u mbyll me dërgimin në gjykatë të katër të pandehurve dhe pushimin e çështjes për të tjerët. Asnjë emër i madh nuk u çua përpara gjykatës për akuzat e pretenduara. Eksponenti më i lartë, ishte ish-shefi i komisariatit në Dibër, Robert Aga, i cili u akuzua për shpërdorim detyre.

Menjëherë pas daljes së vendimit reaguan dhe zëdhënësit e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke denoncuar faktin se “kryeministri Rama dhe kupola e PS-së nuk janë marrë të pandehur” dhe kështu duke zhvlerësuar jo vetëm figurën e Prokurorisë Dibër, por edhe atë të SPAK.

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, do të arrinte deri aty sa të cilësonte SPAK “një zhgënjim dhe të pa krahasueshëm me Krimet e Rënda”.

Një tjetër dosje e nxehtë në dorën e SPAK është dosja 339, e cila kërkon të godasë katër grupe kriminale, mes të cilëve “Avdylajt” e Shijakut. Nga përgjimet mbi këtë dosje, ka dalë dhe emri i ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dakos. Pjesë e dosjes është dhe grupi “Bajri”, ku akuzat kryesore janë trafikimi i mbi 700 kilogramëve kokainë.

Një prej të akuzuarve, Altin Avdylaj, pjesë e bandës së “Avdylajve”, ndaj të cilit SPAK ka kërkuar dhjetë vite burg, ka pretenduar përjashtimin e gjyqtares Daniela Shirka si pjesë e trupit gjykues, për shkak të njëanshmërisë së saj.

Avdylaj ka kërkuar disa herë të lirohet nga burgu, ndërkohë që ish – kreu i Bashkisë Durrës, Dako, edhe pse i përmendur në hetime, nuk u bë kurrë pjesë e tyre.

Prokuroria e Posaçme u ngrit me shpresa të mëdha mbi vënien përpara drejtësisë të eksponentëve më të lartë të botës së krimit në Shqipëri.

Edhe deklaratat e ambasadorëve të vendeve të huaja në Shqipëri nuk kanë munguar, ku u theksua fakti se ka ardhur koha të vihen përpara drejtësisë “peshqit e mëdhenj”.

Numri i çështjeve të regjistruara në SPAK ka qenë i lartë për një periudhë të shkurtër të funksionimit të institucionit.

Ndërkohë, peshqit e mëdhenj, nuk janë ende në rrjetën e drejtësisë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore