Shqipëria

Një tjetër përleshje, çfarë i shtyn të rinjtë të konfliktohen?


Kësaj here ishte radha e Gramshit për të qenë në titujt e lajmeve prej një sherri mes pesë adoleshentëve.

Dhe pasoja ishte e rëndë. Një nga të përfshirët humbi jetën, vetëm 15 vjeç.

Ngjarja ndodhi pranë shkollës 9-vjeçare “Asllan Shahini”, ku pas një sherri me thika mes të rinjve, humbi jetën F. B., në klasën e nëntë.

Ndërkohë, një i dytë u plagos.

Për ngjarjen ka reaguar edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e cila ka theksuar se institucionet arsimore së bashku me institucionet e tjera ligjzbatuese, prindërit dhe familjet, duhet të forcojnë bashkëpunimin për të luftuar fenomenet negative tek fëmijët dhe të rinjtë, të cilat çojnë në ngjarje të tilla të rënda.

Po ashtu ajo ka bërë thirrje për reflektim në të gjithë shoqërinë për të rritur vigjilencën për të parandaluar, identifikuar dhe menaxhuar raste të konfliktit në shkollë, familje dhe kudo tjetër.

Titujt me në krye konfliktet për motive të dobëta kanë qenë thuajse të pashmangshëm muajt e fundit në Shqipëri.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, protagonistët e këtyre konflikteve kanë qenë kryesisht adoleshentë, të cilët janë përleshur me njëri-tjetrin duke përdorur në shumicën e rasteve thika.

Vetëm brenda muajit prill, rastet e regjistruara të të rinjve të plagosur në konflikte janë alarmante.

Bilanci i tre javëve të këtij muaji tregon për shtatë të rinj të plagosur me thikë dhe një prej tyre ka ndërruar jetë. Sakaq, pesë prej të plagosurve janë të moshës 18 vjeç, një i moshës 17 vjeç dhe një tjetër i moshës 19 vjeç.

Ndërkohë, vendndodhja e këtyre ngjarjeve ka qenë e përqendruar në kryeqytet. Më e rënda prej tyre është vrasja e 20-vjeçarit në afërsi të gjimnazit “Partizani”.

Kurse rastet e tjera janë shënuar në Shkodër, Korçë dhe Pogradec.

Por çfarë i shtyn të rinjtë të konfliktohen?

E kontaktuar nga Albanian Post për arsyet e kësaj sjelljeje, Dr. Jonida Haxhiu – lektore e psikologjisë – dallon se ka tipare të caktuara personaliteti që i identifikojnë individët që përfshihen në konflikte të tilla.

“Përgjithësisht, përfshirja në konflikte, sidomos në ato që kanë edhe pasoja të rënda, dëshmon për tipare të personalitetit të tilla si: mungesa e vetëpërmbajtjes, mungesa e vetëkontrollit apo impulsiviteti”, identifikon ajo.

Por, sipas psikologes, ndonjëherë përfshirja mund të lidhet edhe me rrethana jetësore. Në këtë rast, Haxhiu rendit ekspozimin e vazhdueshëm me modele të dhunshme të zgjidhjes së problemeve, në familje apo shoqëri.

Nga ana tjetër, nuk anashkalohen as rrethanat e një situate të vetme.

“Nganjëherë, mund të jenë edhe rrethanat të një situate të vetme , e cila bën që një individ të përfshihet në një konflikt, madje edhe me rrezik për jetën”, veçon ajo.

Përpos faktorëve të brendshëm, janë edhe faktorët e jashtëm që kanë ndikim.

Për psikologen, faktorët e jashtëm kanë një rol mjaft të rëndësishëm në formësimin e sjelljes së individit, duke ndikuar në orientimin e tij drejt sjelljeve të mira apo të gabuara.

Veçanërisht në adoleshencë dhe në rininë e hershme, sipas saj, individi e ndjen me shumë presionin social, ndryshe “detyrimin” për t’u konformuar me grupin apo një model të pëlqyer nga grupi ku bën pjesë.

Kjo, edhe kur vet ai mendon apo ndjen se kjo është e gabuar.

Haxhiu vëren se më së shumti ndodh për shkak të mungesës së besimit te vetja dhe në nevojën për të konfirmuar veten te grupi.

“Rrjedhimisht, ndjehen të detyruar të sillen si grupi apo të pëlqejnë atë që grupi pëlqen, në rastin konkret modele dhe sjellje negative”, ravijëzon ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore