Vende

Një rrëfim për udhëtimin mes kthesave të forta nëpër rrugët e Shqipërisë


Lada 4×4 po hidhej sa andej-këndej, teksa përpiqej të mos ngecej mes shkëmbinjve në rrugën e ashpër.

Dielli po perëndonte. Po e mbulonte luginën në të majtë me një shkëlqim të ngrohtë, të lavdishëm.

Duhet të mbërrinim në anën tjetër, në fshatin Fshat.

Përmes maleve të Dibrës, lart përgjatë kufirit me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Është mirë të niset andej aventura e më pas të shijohet bregdeti.

Ndoshta Shqipëria nuk është destinacioni i parë që u shkon ndër mend të huajve kur planifikojnë udhëtime të largëta, por ama ia vlen.

Në rrugën e largët

Pas një jave, çka ra në sy ishte mikpritja, peizazhi dhe ushqimi.

I gjithë eksplorimi u bë i mundur, falë anglezit Ed Reeves, i cili mbërriti në Shqipëri shtatë vjet më parë dhe vendosi të qëndrojë.

Tani, ai drejton turne me makina Lada dhe Uaz ruse bashkë me partnerin e tij të biznesit Ardi Zhugjeli, si dhe qenin Bubi.

Pas largimit nga aeroporti i Tiranës dhe periferitë gjithnjë e më të zgjeruara, ndalesa e parë ishte fshati Shëngjergj dhe hoteli i tij i vogël.

Lartësia dhe gjashtë gota raki bënë që të flija si fëmijë.

Pas nuk mbetet as darka. E ëma e pronarit doli për të zgjedhur një pulë të gjallë dhe e gatoi. E hëngrëm rreth një zjarri të ndezur në mes të restorantit.

Të nesërmen në mëngjes, drita e ditës zbuloi kodra të larta të mbushura me kashtë dhe fusha misri.

Pasi ndaluam për të soditur raftet e librave të vilës që mbanin edhe ato të Enver Hoxhës, hëngrëm mëngjes me petulla me reçel qershie, vezë të skuqura dhe djathë të kripur.

Ishin të shijshme.

Rrugët, deri më tash, ishin të ngjashme me ato në disa nga pjesët më të largëta të Britanisë. Por, gjërat morën kthesë më ballkanike teksa u ngritëm lart në malet larg fshatit.

U përpoqëm të shmangnim gurët rreth kthesave të verbra, duke ecur me një shpejtësi elegante 20 kilometra në orë, në mënyrë që të mos thyenim asnjë pjesë të poshtme të Lada-s.

Kur erdhi radha për të vozitur, vura re sytë vigjilentë të Edit dhe Ardin, kyçet e të cilit ishin zbardhur ngaqë i mbërthente pas dorezës së derës.

Veç Bubi dukej i qetë. Edhe kur manovronin sa majtas-djathtas për të shmangur gërvishtjet e mundshme prej terrenit të vështirë.

Në mes të pasdites, shkuam për drekë me kryetarin e Bashkisë së Xiberit, një burrë me mustaqe të lyera në portokalli nga nikotina. Mbante veshur një kostum të lezetshëm dhe kapelën që ia plotësonte pamjen.

Mungesa e dhëmbëve të përparmë dukej e përshtatshme për të thithur cigare, kafe dhe raki, njëra prej të cilave ishte gjithmonë me të.

Ai ishte i emocionuar, sepse një autostradë e re do ta afronte Tiranën shumë më afër: nga tronditjet aktuale katër orëshe në rreth 30 minuta.

“Nuk ka rritje pa infrastrukturë”, na tha me mençuri, duke ndezur një cigare tjetër.

Atë mbrëmje ishim në Fushë-Bulqizë, një fshat me pamje idilike, rrethuar nga kullota kodrinore dhe pemë ngjyrë ndryshku që i bënin me turp nuancat e vjeshtës në New England.

Qëndruam në një kullë 200-vjeçare të rindërtuar për turistët nga pronari i vet Luli Hupi.

Gruaja e tij kishte përgatitur një banket luksoz që mund të kishte ushqyer katërfishin tonë: fasule me mish të tharë, byrek, sallatë, djathë të shijshëm me gjalpë të shkrirë dhe patate të skuqura plot yndyrë.

Vetëm kur u mbusha plotësisht, kuptova se këto ishin veç fillimi.

Radha e Adriatikut

Të nesërmen në mëngjes, Luli më tregoi me krenari rreth domenit të tij, fushat me ftua dhe arra, pranë xhamisë së fshatit dhe përgjatë kodrave të pyllëzuara deri te një ujëvarë e vogël.

Thuajse si mënjanë më tha se qeni i tij ishte vrarë së fundmi nga një ari aty pranë.

Po ashtu ishte i emocionuar nga rruga e re dhe mendonte vizitorët e verës.

U nisëm në lindje, u kthyem në rrugë të asfaltuara, duke përshkuar Maqedoninë e Veriut në distancë të afërt.

Thanë se qytetarët e atjeshëm rrallë e kalonin kufirin, të shtyrë nga stereotipet e shqiptarëve të etur për gjak, të cilat më hidhëruan.

Rrugës ndaluam në një kafene, ku katër burra që konsumonin bufenë e zakonshme të cigareve dhe rakisë refuzuan të na linin të paguanim për pijet kur morën vesh se dy prej nesh ishim anglezë.

Duke u rrotulluar në veri rreth malit Korab të mbuluar me borë, e kishim kaluar natën në Fshat, ku djali i pronarit të bujtinës, i ardhur nga Wembley, luajti për ne në klarinetë.

Të nesërmen, ndaluam në Kukës dhe ekzaminuam mbetjet e kobshme të një hoteli tashmë të shkatërruar të epokës komuniste, arkitekti i të cilit shkoi në burg, për shkak të zgjedhjes dekadente të llambadarëve jugosllavë.

Pas një nate në një hotel të mrekullueshëm agroturistik, u nisëm për një ditë në plazhin e Kepit të Rodonit.

Edi dhe Ardi ndezën cigare, unë fjeta dhe Bubi mbronte rërën nga macet dhe pulëbardhat para se të pushonte për një sy gjumë.

Përveç zhurmës së dallgëve që përplaseshin, gjithçka ishte krejtësisht e qetë në cepin tonë të vogël të Adriatikut, larg turmës së çmendur.

Në fakt, larg nga askush.

Marrë nga “The Telegraph”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore