Lajme

Një protestë tjetër e zjarrfikësve para Qeverisë për plotësimin e kërkesave


Protesta e zjarrfikësve më 30 nëntor.

Një tjetër protestë është paralajmëruar nga Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës të enjten e 14 dhjetorit, duke kërkuar kushte më të mira të punës dhe pagës për rrezikshmëri.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave, duke shtuar se po kërkojnë një përgjigje nga Qeveria lidhur me kushtet e tyre të punës.

“Kryesia e Sindikatës se zjarrfikësve te Kosovës ka vendosur që në shenjë pakënaqësie me kushtet e punës dhe gjendjen në përgjithësi në shërbimin e zjarrfikës dhe shpëtimit, mosplotësimi i kërkesave të parashtruara me kohë, kërkesa të drejta dhe legjitime, të bazuara në ligje dhe së fundi edhe vendimi që zjarrfikësve t’ju anulohet pagesa për rrezikshmëri në punë”.

Sipas zjarrfikësve të Kosovës, ky vendim është i pa analizuar mirë dhe paraqet shumë probleme të tjera rreth organizimit.

“Statusi juridik ende i pa zgjidhur, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese mes Komunave dhe MPB/AME, mosplanifikimi buxhetor për zjarrfikës, kushtet e dobëta të punës, numri i pamjaftueshëm i zjarrfikësve, mosha mesatare në prag të viteve 50, kjo gjendje ka shkaktuar indinjatë dhe njëherit, si pasojë e problemeve të pazgjidhura me dekada, kemi vendos që me dt. 14.12.2023 të riaktivizojë protestë”, thuhet në komunikatën e Sindikatës së Zjarrfikësve.

Protesta është thënë se do të mbahet para Qeverisë së Kosovës.

Më 30 nëntor, kishin protestuar zjarrfikësit duke kërkuar që kërkesat e tyre të plotësohen nga ekzekutivi.

Kërkesat e zjarrfikësve në këtë protestë kanë qenë që të sigurohet buxhet emergjent, lehtësim dhe ndryshimin e masave të pushtetit lokal, analizimin e çështjes së rrezikshmërisë në punë dhe nisjen e kompensimit të rrezikshmërisë nga shkurti, e po ashtu të filloj kompensimi për orarin e ndërrimit të natës, si dhe punës në festa shtetërore.

Kosova në vitet e fundit është përballur me mungesë të zjarrfikësve, por edhe ata që janë aktiv edhe në të kaluarën kanë thënë se nuk i posedojnë as kushtet minimale për punë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore