Lajme

Një politikë me qendër Beogradin për Ballkanin s’do të funksionojë, thotë senatori Menendez


“Një politikë me qendër Beogradin për Ballkanin nuk do të funksionojë”.

Kështu ka shkruar në Twitter, Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Bob Menendez, pasi i është bashkangjitur thirrjes së dhjetëra politikanëve që i kanë dërguar një letër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar që të ndryshohet qasja në raport me Kosovën dhe Serbinë.

“Jam krenar që bashkohem me kryetarët transatlantik të Komiteteve të Punëve të Jashtme dhe ligjvënësve, për të kërkuar nga qeveritë tona që të rishqyrtojnë qasjet e tyre ndaj marrëdhënieve Serbi-Kosovë”, shtoi ai.

 

Ndërsa zëdhënësi i Qeverisës së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se ekzekutivi e ka mirëpritur letrën e politikanëve perëndimorë dërguar SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe, ku kërkohet qasje më e ashpër ndaj Serbisë.

Ai ka theksuar se “ne mbesim të përkushtuar për de-eskalim të plotë të situatës në Veri dhe se “janë vigjilent ndaj çfarëdo potenciali për ri-eskalim, dhe besnik ndaj ligjshmërisë dhe kushtetutshmëri”.

Në letrën të cilën e ka publikuar gazeta gjermane “Tagesspiegel”, kryediplomatëve evropiano-amerikanë iu kërkohet një qasje më të ashpër dhe më të vendosur ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Në letrën e nënshkruar mbi të gjitha nga kryetari i komisionit parlamentar për politikë të jashtme në Parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) Michael Roth dhe kryetari i Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bob Menendez, specifikohet se baza e politikës së përbashkët përndimore ndaj krizës aktuale në veri, duhe të jetë fakti se Kosova është një vend sovran dhe një demokraci funksionale.

“Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurojë që ne të mos ndjekim politika me qendër Beogradin. Të shqyrtohet një politikë e diplomacisë parandaluese për të parandaluar një përkeqësim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në veri të Kosovës. Ata që mbrojnë shtetin ligjor dhe demokracinë nuk duhet të qortohen”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore