Lajme

Një parti në Serbi deklarohet pro planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi


Pavle Grboviç

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në vazhdën e takimeve në Serbi, lidhur me aneks-dokumentin që do të diskutohet në takimin e 18 marsit në Ohër, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të paktën nga një parti serbe ka marrë mbështetje për planin franko-gjerman (evropian).

Lëvizja e qytetarëve të Lirë, është deklaruar pas takimit me diplomatin sllovak nga kryetari i kësaj partie, Pavle Grboviç, në mbështetje të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Lajçak’ut ia kam përcjellë qëndrimin e Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, që është se ne mbështesim propozimin evropian për marrëveshjen për Kosovën. Është kristal e qartë se është bërë një pozicion politikisht i pamundur të avokosh për hyrjen e Serbisë në BE, duke qenë kundër një marrëveshjeje pas së cilës qëndrojnë të gjithë anëtarët e BE-së si dhe ShBA-të”, tha Grboviç, transmeton media opozitare serbe Danas.

Po ashtu, ai theksoi se “kërkuam nga Lajçak që të na njoftoj për përmbajtjen e anekseve zbatuese, dhe këtë ta bëjë para takimit të Ohërit me 18 mars”, kjo sepse sipas tij “praktika aktuale vetëm sa ka thelluar mosbesimin dhe na ka distancuar nga konsensusi i nevojshëm për zgjidhjen e këtij problemi”.

Ndërkaq, ai potencoi rëndësinë e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe kjo sipas tij të bëhet sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, dhe shtoi se nga pranimi i marrëveshjes evropiane pret që të përshpejtohet anëtarësimi i Serbisë në BE.

“Unë kam një pritje nga BE-ja që të gjithë qytetarët e Serbisë që besojnë në të ardhmen evropiane, që në rastin e pranimit dhe zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Serbisë t’i jepet një sinjal i qartë se procesi integrues do të përshpejtohet”, potencoi Grboviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore