Lajme

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për krime lufte


Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit me inicialet Z.N. për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.

Në njoftimin thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.N.

I dyshuari Z.N është arrestuar në Mitrovicën e veriut. Ai dyshohet se ka kryer krime gjatë vitit 1999 në komunën e Vushtrrisë.

Ndryshe, 16 persona të akuzuar për krime lufte në Kosovë janë liruar me vendimet gjyqësore si të pafajshëm pas përfundimit të luftës dhe disa të tjerë janë arratisur pas ngritjes së aktakuzave.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore