Lajme

Një muaj paraburgim për serbin e dyshuar për krime lufte në Kamenicë


Ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar të mërkurën një muaj paraburgim për një person të nacionalitit serb nën dyshimet për krime lufte gjatë viteve 1998/1999 në Kosovë, përkatësisht në Komunën e Kamenicës.

“Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit në çështjen penale hetimore të pandehurit Z.A, i dyshuar për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.A e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, njoftoi gjykata.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës, ka arrestuar të martën të pandehurin me inicialet Z.A., të  nacionalitetit serb, nën dyshimet se kishte torturuar për një orë e gjysmë një person në vitin ’99 në Kamenicë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, ai pastaj ka filluar të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve, ia ka vënë zjarrin, si dhe ka marr pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore