Lajme

Një muaj paraburgim për kreun e “Mbrojtjes Civile” – Milun Milenkoviç


Gjykata Themelore

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit  kundër kreut të formacionit paraushtarak “Mbrojtja Civile” Milun Milenkoviç – Llune, i cili ka qenë organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Milenkoviç, i njohur me nofkën kriminale “Llune”, si një nga krerët e formacionit paraushtarak “Mbrojtja Civile” dhe prijës i kahmotshëm i bandave kriminale në veri të Kosovës, ishte arrestuar më 13 qershor në Mitrovicën e Veriut nën dyshimet për terrorizëm.

“Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”.

Ai dyshohet se në bashkëveprim edhe me persona të tjerë, kanë sulmuar zyret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Kosovës.

“Zyrtarët e KQZ-së me zyrtarët policor kishin shkuar për të hapur zyrën, i pandehuri së bashku me persona tjerë kishin hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba me ç’rast njëra granatë dhe dy shok bomba kishin shpërthyer dhe si rezultat i kësaj, ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale”.

Ndryshe, tensionet janë kthyer sërish në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave atje – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë janë duke protestuar që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, ku për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa një numër grupesh dhe fraksionesh i kërcënojnë me rezistencë autoritetet kosovare që mundohet të integrojnë komunitetin komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore