Lajme

Një major amerikan tentoi t’i jepte Rusisë informacione të ndjeshme


Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DoJ) akuzoi të enjten e 29 shtatorit një mjek të ushtrisë dhe një anesteziolog të Johns Hopkins-ut për komplot.

Kjo, për t’i dhënë qeverisë ruse informacione mjekësore për ushtarët amerikanë dhe të afërmit e tyre.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesit amerikanë, duke cituar vendimin e DoJ-së.

Aktakuza emërton Jamie Lee Henry, një major ushtrie në Fort Bragg, i cili kishte një leje sekrete sigurie, dhe bashkëshorten e Henry-t, Anna Gabrielian.

Kjo e fundit ishte gjithashtu rusisht-folëse.

Ata akuzohen për ofrimin e informacioneve të ndjeshme për një agjent të fshehtë të FBI-së, i cili po paraqitej si përfaqësues i ambasadës ruse.

Aktakuza thotë se FBI-ja mësoi se Gabrielian kishte ofruar ndihmë vullnetare për Rusinë përmes ambasadës së saj në Washington.

Gjatë një takimi të 17 gushtit në një dhomë hoteli në Baltimore, Gabrielian i tha agjentit të fshehtë të FBI-së “ajo ishte e motivuar nga patriotizmi ndaj Rusisë për t’i ofruar Rusisë çfarëdo ndihme që mundte, edhe nëse do të thoshte të pushohej nga puna ose të shkonte në burg”, pretendon aktakuza.

Gabrielian i tha agjentit se ajo kishte kontaktuar Ambasadën Ruse me email dhe telefon, duke i ofruar Rusisë ndihmë nga ajo dhe bashkëshorti i saj, Henry, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza i referohet Henry-t si mashkull, por Henri në vitin 2015 doli publikisht si oficeri i parë transgjinor i ushtrisë.

Më vonë më 17 gusht, Gabrielian dhe Henry u takuan me agjentin e fshehtë, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, Henry përshkroi një përkushtim për të ndihmuar Rusinë dhe kishte kërkuar të dilte vullnetar për t’iu bashkuar ushtrisë ruse pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, por Rusia donte njerëz me përvojë luftarake dhe Henry nuk kishte.

Më 31 gusht, sipas aktakuzës, agjenti i FBI-së takoi Gabrielian dhe Henry-n në një hotel në Gaithersburg, Maryland, pranë Washington, D.C.

Gabrielian i dha agjentit informacion mjekësor për bashkëshorten e një personi të punësuar nga Zyra e Inteligjencës Detare – dhe theksoi një çështje mjekësore që Rusia mund ta shfrytëzonte, thotë aktakuza.

Henry dyshohet se dha informacione për të paktën pesë individë që ishin pacientë në Fort Bragg, duke përfshirë një oficer të ushtrisë në pension, një punonjës aktual të Departamentit të Mbrojtjes, bashkëshorten e një veterani të ushtrisë amerikane dhe dy bashkëshortë të veteranëve të vdekur të ushtrisë amerikane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore