Lajme

Një koleksioniste britanike e artit rus shpëton muzeun e Málaga-s nga mbyllja


Një muze i artit rus në Málaga të Spanjës është shpëtuar nga mbyllja e mundshme nga një koleksionistë britanike.

Kjo pasi ajo ofroi të ekspozonte koleksionin e saj privat prej 76 veprash të artistëve rusë.

Punimet, që datojnë nga viti 1876 deri në 1980, i përkasin Jenny Green, e cila nisi të grumbullonte vepra arti ruse 20 vjet më parë.

Green, në vitet 1960, ishte një nga një grup njerëzish që qëndronin pas Granny Takes a Trip, butikut me trend të Kings Road në Londër.

Është hera e parë që ajo del në një ekspozitë publike me vepra të Venetsianov, Ivanov, Aivazovsky, Repìn, Serov, Bakst, Benois, Kandinsky, Serebriakova, Larionov, Goncharova, Chelischev dhe Essaian.

“Me përjashtim të shtatë veprave të vogla, kjo përfaqëson të gjithë koleksionin tim”, ka thënë Green në përurimin e ekspozitës, e cila do të zgjasë deri më 5 qershor.

Museo Ruso, që ndodhet në një ish-fabrikë duhani, u themelua në vitin 2015 dhe është në thelb krahu spanjoll i Muzeut Shtetëror Rus në Shën Petersburg, po ashtu dega e tij e parë evropiane.

Ekspozitat e përhershme dhe të përkohshme të muzeut mbështeten në koleksionin e madh të institucionit të Shën Petersburgut prej më shumë se 400 mijë veprash.

Museo Ruso ka ngritur 40 ekspozita dhe ka tërhequr 750 mijë vizitorë përpara se pushtimi rus i Ukrainës ta vinte projektin në rrezik.

Kur shpërtheu lufta, muzeu kishte katër ekspozita të hapura, por shpejt u bë e qartë se kjo nuk ishte e qëndrueshme dhe veprat u kthyen në Rusi në fillim të majit.

Menjëherë pas kësaj, muzeu vendosi një ekspozitë të Pikasos, por ka luftuar për të vazhduar.

José María Luna, drejtoresha e muzeut, ka thënë se meqë marrëdhënia me muzeun e Shën Petersburgut është “ndërprerë”, e ardhmja qëndron në koleksionet private.

“Angazhimi ynë për të sjellë artin rus në Málaga është i pandryshuar dhe tani duhet të gjejmë një mënyrë tjetër për ta bërë këtë”, ka thënë Luna.

“Kultura ruse nuk është përgjegjëse për atë që po ndodh. Anulimi i kulturës ruse nuk zgjidh asgjë. Malevich dhe Tchaikovsky nuk janë fajtorë për këtë situatë dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me kulturën si një urë lidhëse mes njerëzve”, ka theksuar ajo.

Gjithashtu ka treguar se po punohet me koleksionet në Spanjë dhe Evropë për të mbuluar kërkesat në vitin 2023 dhe, nëse është e nevojshme, në vitin 2024.

“Marrëdhënia jonë me Shën Petersburg është pezulluar, por ne kemi një kontratë deri në vitin 2025, kështu që do të duhet të presim dhe të shohim se çfarë ndodh”, ka shtuar ajo.

Vitet e fundit, Málaga, e parë prej kohësh nga shumë njerëz thjesht si një pikë hyrëse në Costa del Sol, është riformuar si një destinacion kulturor.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore