Lajme

Një delegacion iranian ka mbërritur në Arabinë Saudite


Një delegacion nga Republika Islamike e Iranit ka mbërritur në Arabinë Saudite për të nisur procesin e rihapjes së misioneve diplomatike të Teheranit, njoftuan mediat zyrtare iraniane të mërkurën.

“Delegacioni iranian mbërriti në Riad të mërkurën për të vizituar dhe rihapur ambasadën dhe konsullatën iraniane në Arabinë Saudite në përputhje me marrëveshjen e fundit (të lidhur në Pekin) midis dy vendeve”, tha agjencia “Irna”.

Një delegacion diplomatik nga Riadi shkoi në Teheran të shtunën për një mision të ngjashëm, dy ditë pas një takimi historik në Pekin midis krerëve të diplomacisë të dy vendeve.

“Një ekip do të shkojë në Jeddah për t’u përgatitur për rihapjen e konsullatës iraniane dhe përfaqësimit në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC) dhe një tjetër do të qëndrojë në Riad për të rihapur ambasadën”, tha ai.

Arabia Saudite sunite dhe Irani shiit ndërprenë marrëdhëniet në vitin 2016 pasi misionet diplomatike saudite në Teheran dhe Mashhad (verilindje) u sulmuan nga protestuesit në Republikën Islamike, pas ekzekutimit nga Riadi të një kleriku të rëndësishëm shiit.

Marrëveshja e arritur në mars në Pekin midis Teheranit dhe Riadit duhet t’u lejojë të dy vendeve të rihapin ambasadat e tyre deri në mes të majit dhe të zbatojnë marrëveshjet e bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë të nënshkruara më shumë se 20 vjet më parë.

Afrimi i tyre duhet të festohet zyrtarisht gjatë një vizite të presidentit iranian Ebrahim Raisi në Riad, me ftesë të mbretit Salman të Arabisë Saudite, një udhëtim i planifikuar pas Ramazanit, në fund të prillit.

Takimi i rivalëve Iran-Arabia Saudite, në fokus rihapja e misioneve diplomatike

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore