Lajme

Një dekadë dialog Kosovë-Serbi


10 vjet më parë, më tetë dhe nëntë mars 2011, negociatorët Edita Tahiri, Borko Stefanoviç dhe ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper, u ulën për herë të parë për të lënë pas të kaluarën dhe për të diskutuar mënyrën e bashkëpunimit të ardhshëm midis Kosovës dhe Serbisë.

Ky dialog ishte i lehtësuar nga tre përfaqësuesit e lartë, Baronesha Catherine Ashton, Federica Mogherini dhe Josep Borrell.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për punë të jashtme dhe siguri, Josep Borrel, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se është koha që të përmbyllet procesi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë, është koha për të përmbyllur procesin që BE po punon me palët në një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit që do të hapë rrugën për të dy”, ka shkruar Borrel.

Ai përmes këtij shkrimi ka kujtuar takimin e parë të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë i cili u mbajt në Bruksel.

Po ashtu, edhe përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimi Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka hedhur një shkrim në Twitter, ku thotë se qëllimi i këtij dialogu është arritja e progresit.

“Qëllimi është të arrijmë progres në rrugën e tyre përkatëse, dhe të përmirësojmë jetën e njerëzve”, ka shkruar ai.

Lajçak tha se 10 vjet më parë, delegacionet nga Beogradi dhe Prishtina u ulën për herë të parë “për të lënë të kaluarën pas dhe për të gjetur mënyra përpara për bashkëpunim”.

Qëllimi i këtij dialogu ishte promovimi i bashkëpunimit, arritja e përparimit në rrugën e tyre përkatëse evropiane dhe përmirësimi i jetës së njerëzve.

Marrëveshjet e rëndësishme u ndërmjetësuan në mënyrë që njerëzit dhe mallrat të lëvizin lirshëm midis Kosovës dhe Serbisë.

“Gjyqësori dhe strukturat policore në veri të Kosovës janë integruar, Kosova ka kodin e saj ndërkombëtar të thirrjes dhe merr pjesë në të gjitha formatet rajonale”, shkruan EEAS EUROPE.

“Ka pasur momente dhe periudha të vështira krizash dhe ndonjëherë mund të jetë dukur e pamundur të vazhdohet. Sidoqoftë si Kosova ashtu edhe Serbia kanë treguar përkushtim të palëkundur, duke ditur që rrugët e tyre drejt Bashkimit Evropian kalojnë përmes saj”, shkruan EEAS.

Një dekadë është një kohë shumë e gjatë. Kjo është arsyeja pse është e drejtë që Dialogu tani duhet të arrijë shtrirjen e tij të fundit. Bashkimi Evropian beson fuqimisht se është koha për ta sjellë Dialogun në një përfundim të suksesshëm me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që merret me të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe po punon me të dy palët për të përmbushur këtë qëllim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore