Lajme

Nisin punimet për termocentralin diellor


Punimet për ndërtimin e termocentralit diellor me kapacitet 150 MW nga Solar Energy Group Europe, kanë nisur këtë të premte të 19 majit në fshatin Bec të komunës së Gjakovës.

Për të vënë gurëthemelin e këtij projekti i pranishëm ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Për këtë zhvillim, qeveria ka dërguar një njoftim për medie, në të cilin thuhet se, Kurti ka vlerësuar se përurimi i këtij termocentrali simbolizon jo vetëm një hap të rëndësishëm drejt qëllimeve të Kosovës, për të ngritur kapacitetet nga burimet e ripërtëritshme të energjisë, por edhe “përkushtimin e tyre të palëkundur për të krijuar një të ardhme më të ndritshme për vendin tonë”.

Kryeministri ka veçuar miratimin e Strategjisë se re të Energjisë në Kuvendin e Kosovës, duke shtuar se “orientimet e sektorit të energjisë për periudhën 10 vjeçare ne tashmë i kemi vendosur në këtë Strategji, me synimin që zhvillimi i sektorit të energjisë të shkojë drejt tranzicionit energjetik në përputhje me Marrëveshjen e Sofies dhe Planin e Gjelbër të Ballkanit Perëndimor 6, si dhe gradualisht drejt neutralitetit ndaj karbonit deri në 2050”, thuhet në njoftim.

“Sot ne jemi mbledhur këtu për të shënuar realizimin e vizionit tonë –atë të përpjekjes për pavarësi energjetike dhe transformimit të sektorit drejt energjisë edhe të pastër edhe të qëndrueshme’’, citohet të ketë thënë Kurti.

Sipas Kurtit Ligji për burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe Strategjia e re e energjisë, tregojnë përkushtimin e tyre për të krijuar një mjedis të favorshëm dhe të qëndrueshëm për të investuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore