Shqipëria

Nis shqyrtimi i grupit të katërt të kapitujve të negociatave për Shqipërinë


Misioni i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian bëri me dije se ka nisur shqyrtimi i grupit të katërt të kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian.

Lajmi u bë i ditur nga misioni në BE, duke cituar statusin e tyre në median sociale “Twitter”.

“Aktualisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit të BE-së për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, duke diskutuar shqyrtimin për grupin e katërt të kapitujve të negociatave, të fokusuar në ‘Axhendën e Gjelbër dhe lidhjen e qëndrueshme'”, shkruan diplomacia shqiptare.

Ata shprehën mirënjohje për ekspertizën dhe rekomandimet e vlefshme nga Komisioni Evropian, të cilat do të udhëheqin përgatitjet për shqyrtimin e ardhshëm dypalësh.

Më 10 mars, Shqipëria shqyrtoi plotësisht grupin e dytë të kapitujve, i cili ka të bëjë me tregun e brendshëm.

Tryezat e këtij formati janë dypalëshe dhe organizohen në sesione të ndryshme.

“Procesi i negociatave për anëtarësimin në BE po ecën përpara me diskutime të frytshme mbi tregun e brendshëm e lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit”.

Nisja zyrtare e shqyrtimit të kapitujve për Shqipërinë ishte më 30 janar, kur patën fillesë edhe takimet dypalëshe mes delegacionit shqiptar dhe atij të BE-së.

Kapitulli i parë i hapur më 30 janar, kishte të bënte pikërisht me lëvizjen e lirë të mallrave.

“Sot ne fillojmë një javë intensive takimesh dypalëshe mbi Kapitullin 1: Lëvizja e Lirë e Mallrave, i cili është një gur themeli për integrimin e plotë të Shqipërisë në tregun e përbashkët të BE-së. 30 ekspertë nga institucione të ndryshme do të prezantojnë gjetjet e tyre mbi përputhshmërinë dhe standardizimin e produkteve”, shkruhej asokohe në faqen e misionit diplomatik.

Më herët, Delegacioni i BE-së në Tiranë e ka vlerësuar punën e bërë nga Shqipëria në procesin e anëtarësimit në BE, e cila po ecën përpara.

Gjithashtu, ka përfunduar edhe procesi i shqyrtimit analitik të grupit të parë të kapitujve, që fokusohen kryesisht në të drejtat themelore të BE-së, sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe kriteret ekonomike.

Reporterja për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos, deklaroi më 28 janar se Shqipëria do të nisë hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian brenda vitit 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore