Lajme

Nis gjykimi i parë në mungesë ndaj Çedomir Aksiç, i akuzuar për krime lufte


Departamenti i Krimeve të Rënda.

Të hënën e 20 nëntorit, ka nisur gjykimi i parë në mungesë për krime lufte në Kosovë.

I akuzuari që po gjykohet është Çedomir Aksiç, ndërsa avokati i tij mbrojtës është Zharko Gajiç.

Kryetarja e trupit gjykues në këtë rast është Violeta Namani Hajra, ndërsa prokurore Habibe Salihi.

Ai akuzohet për krime lufte, përfshirë pjesëmarrjen në vrasjen e tetë civilëve shqiptarë gjatë masakrës së Reçakut.

“I akuzuari Çedomir Aksiç, më datën 15 janar 1999 në fshatin Reçak, të Komunës së Shtimes, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminalë (tani për tani të paidentifikuar), grup ky i organizuar, i veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, urdhërim për zhvendosen e popullatës civile ose ndaj individëve të veçante civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt apo luftë”, thuhet në aktakuzë.

Aksiç, është i lindur në Shtime, por që adresë aktuale ka fshatin Naupare të Krushevcit në Serbi.

Për 22 vjet rreth 67 persona janë dënuar me aktgjykime të plotfuqishme për krime lufte në Kosovë dhe shumica e këtyre të dënuarve nuk janë serbë, por shqiptarë.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Padrejtësia e “drejtësisë” – më shumë shqiptarë sesa serbë të dënuar për krime lufte në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore