Shqipëria

Nis faza e tretë e procesit të fiskalizimit


1 shtatori është data e nisjes së fazës së tretë të procesit të fiskalizimit në Shqipëri.

Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) bëhet me dije se kjo fazë e tretë do të jetë për transaksionet me para në dorë nga tatimpagues-konsumatorë.

DPT-ja ka njoftuar se, deri më tani, janë fiskalizuar 23 mijë e 345 biznese dhe janë lëshuar mbi 21 milionë fatura të fiskalizuara që nga 1 janari i 2021-shit.

Nga ana tjetër, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e ka vlerësuar fiskalizimin si një nga reformat më madhore të qeverisë.

Shpesh ajo i ka ftuar bizneset për të shfrytëzuar periudhën e mbetur që nuk aplikohen penalitete.

Faza e tretë përfshin edhe grupin e fundit të subjekteve, ku në total pritet fiskalizimi i 100 mijë bizneseve.

Kjo fazë është cilësuar shpesh si më e vështira për shkak të informalizimit te bizneset.

Sipas të dhënave të publikuara nga DPT-ja, konfirmuar dhe për Albanian Post, rreth 38% e totalit të bizneseve – që kanë detyrimin të fiskalizohen – janë pajisur me certifikatën e sigurisë.

Kjo certifikatë është kushti kryesor për nisjen e këtij procesi.

DPT-ja ka publikuar gjithashtu një kalendar për vizitat në vendet e ushtrimit të aktivitetit të tatimpaguesve, kryesisht të biznesit të vogël.

Ata do të nisin nga 1 shtatori deri në fund të nëntorit.

Deri në periudhën e 1 janarit të vitit 2022 nuk do të ketë asnjë penalizim ose gjobë për bizneset, por pas kësaj date nëse ato nuk e kanë kaluar procesin e fiskalizmit do të merren masa.

Faza e dytë e fiskalizimit nisi më 1 korrik dhe përfshiu transaksionet pa para në dorë ndërmjet bizneseve.

Biznese në këtë fazë duhet të lëshonin vetëm fatura elektronike.

“Bizneset duhet të kenë përmbushur kërkesat minimale të fiskalizimit, të tilla si pajisja me certifikatë elektronike, të kenë regjistruar të dhënat e veta në Self-Care, të jenë pajisur me një soft për të lëshuar faturat”, ishte shkruar në njoftimin e DPT-së.

Shoqatat e bizneseve shpesh kanë kërkuar shtyrje të këtij procesi, pasi nga ana teknike nuk janë gati për zbatim.

Por, mosgjobitja dhe informimi derë më derë kanë ndryshuar edhe qasjen.

Ky proces në thelb të tij ka lëshimin e faturave sipas një sistemi të ri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore