Shqipëria

Nikolla, vizitë zyrtare në Zvicër, kryeparlamentarja Kälin: Përgëzime për rolin e Shqipërisë si lider i integrimit rajonal


Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, zhvilloi një vizitë zyrtare në Zvicër me ftesë të Kryetares së Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Irène Kälin,

Në takimin me Kryeparlamentaren Kälin mori pjesë edhe Ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni.

Nikolla vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë midis parlamenteve të dy vendeve dhe nënvizoi se forcimi i bashkëpunimit parlamentar shërben si nxitës i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe dy popujve tanë.

Gjatë takimit u diskutua mbi vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm parlamentar e dypalësh në mbështetjen e reformave,  konsolidimin e institucioneve demokratike, përmirësimin e sistemit shëndetësor, fuqizimin dhe modernizimin e arsimit profesional, bashkëpunimin në fushën e sigurimeve shoqërore, energjisë, turizmit etj.

Ajo shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Zvicrës në modernizimin e shërbimeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë.

Ky bashkëpunim do të vazhdojë në mbështetjen e Kuvendit për llogaridhënien, kontrollin dhe etikën parlamentare dhe modernizimin e shërbimeve të Kuvendit.

U diskutua gjithashtu mbi forcimin e diplomacisë parlamentare dhe bashkërendimin e qëndrimeve të dy parlamenteve në organizatat ndërkombëtare.

Duke falënderuar homologen Kälin për mbështetjen e vendosur të Zvicrës për Kosovën, Kryeparlamentarja Nikolla kërkoi që kjo mbështetje të vazhdojë dhe Zvicra të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kryeparlamentaret Nikolla dhe  Kälin diskutuan edhe për mbështetjen e autoriteteve zvicerane ndaj komunitetit shqiptar për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës dhe integrimin dinjitoz në shoqërinë zvicerane.

Të dy theksuan se komuniteti shqiptar në Zvicër shërben si urëndërtues i miqësisë midis Zvicrës dhe Shqipërisë e Kosovës.

Sakaq Kuvendi i Shqipërisë po mbështet komunitetet shqiptare jashtë vendit dhe lehtësimin e nxitjen e kontributeve të tyre për zhvillimin e vendit.

Po ashtu Nikolla informoi bashkëbiseduesit zviceranë se Shqipëria vazhdon të përmbushë të gjitha kushtet përpara takimit të parë të Konferencës Ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit dhe i ka realizuar të gjitha detyrat në lidhje me reformën zgjedhore, reformën në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformat në lidhje me të drejtat themelore, mbrojtjen e pakicave apo reformën e administratës publike.

Në shenjë respekti Nikolla e ftoi kryetaren Kälin për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë – vizitë e cila do të realizohet në një kohë të afërt.

Nga ana tjetër Kälin, vlerësoi bashkëpunimin shumë të suksesshëm dypalësh dhe atë parlamentar. Ajo nënvizoi se ky bashkëpunim do të vijojë të forcohet sepse Kuvendi i Shqipërisë është një partner i rëndësishëm i Këshillit Kombëtar të Zvicrës.

Kalin përgëzoi Nikollën për rolin e Shqipërisë si një lider i integrimit rajonal në Ballkanin Perëndimor. Si edhe për kontributin e Kuvendit në avancimin e reformave demokratizuese dhe integruese dhe vuri në dukje se Zvicra do të vazhdojë të qëndrojë në krah të Shqipërisë dhe Këshilli Kombëtar në mbështetje të Kuvendit për progresin e mëtejshëm të zhvillimit, demokratizimit, reformave dhe integrimit evropian të Shqipërisë.

Gjithashtu,  Zvicra do të bashkëpunojë me Shqipërinë, për të mësuar nga përvoja e Shqipërisë si anëtareve jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB, ku Zvicra sapo është votuar për vitet 2023-2024.

Nikolla, e shoqëruar nga Ambasadori Ilir Gjoni dhe anëtarët e delegacionit, ndoqi një seancë plenare të Këshillit Kombëtar, ku u mirëprit dhe u përshëndet ngrohtësisht nga deputetët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore