Shqipëria

Nikolla pret në takim zëvendëspresidentin e AP-së të OSBE-së: Në fokus reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi


Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, të mërkurën e 11 majit ka pritur në takim zëvendëspresidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Azay Guliyev. Në fokus të takimit ishte reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi.

Nikolla i bëri të ditur Guliyev-it se vendi po bashkëpunon me OSBE-në për të përshpejtuar e avancuar proceset demokratike dhe integrimin në Bashkimi Evropian, me fokus të veçantë reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi.

Sipas Nikollës këto të fundit garantojnë zhvillimin, demokratizimin, evropianizimin e paqen, në rajon e më gjerë.

“Shqipëria, nga një vend që konsumonte siguri, është bërë një vend që prodhon siguri e zhvillim.

Dëshmi e kësaj ishte Kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria në vitin 2020”, tha Nikolla.

Po ashtu kryeparlamentarja ka vlerësuar rolin dhe kontributin aktiv të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, që ka mbështetur reformat demokratizuese dhe integruese si edhe përmes zbatimit të projekteve në fushën e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut, medias, barazisë gjinore, etj.

“Shqipëria do të vazhdojë të përkrahë Agjendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, si një investim për paqe më afatgjatë e të qëndrueshme”, vijoi ajo.

Ndër të tjera ajo ka përgëzuar qëndrimin parimor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në lidhje me Ukrainën dhe, “bashkë me aleatët tanë, qëndrojmë fort përkrah Ukrainës dhe kontribuojmë, politikisht e praktikisht, që në Ukrainë të kthehet paqja dhe liria”.

Ndërsa Guliyev, falënderoi Nikollën për vlerësimin e bashkëpunimit të Shqipërisë dhe Kuvendit me OSBE-në dhe Asamblenë Parlamentare.

Guliyev vlerësoi si mjaft mbresëlënëse arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, kontributin në bashkëpunimin dhe stabilitetin në rajon si edhe progresin shumë të dukshëm në barazinë gjinore dhe përfaqësimin gjinor në jetën politike e parlamentare dhe institucionet.

“Asambleja Parlamentare e OSBE-së do të vazhdojë të bashkëpunojë me Kuvendin e Shqipërisë për avancimin e reformave dhe prioritetet e tjera të agjendës së Kuvendit”, u shpreh ai.

I pranishëm në takim ishte edhe kryetari i Prezencës së OSBE-në në Shqipëri, Ambasadori Vincenzo Del Monaco.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore