Sport

Niko Hulkenberg, piloti i tre skuadrave


Fatkeqësisht, as ky sezon nuk na ka ofruar mundësinë që njërin ndër pilotët më të talentuar të Formula 1, ta shohim në një nga 20 ulëset e garës që ofron F1.

Sezonin e kaluar, Hulkenberg ishte pilot rezervë i Racing Point, dhe mori pjesë në tri gara.

Ai zëvendësoi dy herë Sergio Perez-in dhe një herë Lance Stroll (për shkak se pilotët ishin të infektuar me Covid-19).

Por, me sa duket, paraqitjet e tij të mrekullueshme në këto tre gara, nuk qenë të mjaftueshme për Hulkenberg të siguronte një vend në ndonjë skuadër të F1 për sezonin 2021.

Madje, u duk se Nico mund të jepte dorëheqjen nga sporti, duke thënë që nuk e pranonte më rolin e pilotit rezervë.

Por, kjo gjë duket se ndryshoi sa hap e mbyll sytë! Nga një lojtar që “ngrohte stolin”, Hulkenberg duket se do të garojë për tre skuadra në të njëjtën kohë.

Hulkenberg do të mbetet pilot rezervë i Aston Martin, makinës pasardhëse të Racing Point.

Me shumë mundësi, Nico do të jetë piloti rezervë edhe i Mercedes-it dhe McLaren-it.

Shefi i Mercedes-it, Toto Wolff, tha: “Nuk është në pikëpyetje se a do ndodhë, por se kur do të ndodhë”.

Për shërbimet e tij interesohet edhe McLaren-i.

Nuk ka rregull që e ndal këtë lëvizje, por gjithçka varet nëse pranojnë Mercedes-i dhe Aston Martin-i.

“Jam shumë i lumtur me situatën time”, tha Hulkenberg, “gjithçka po shkon në drejtimin e duhur”.

Sezoni 2022, me shumë mundësi, do ta gjejë Nico-n në ulësen kryesore të njërës prej këtyre tre skuadrave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore