Lajme

Ngritët aktakuzë edhe ndaj 12 personave për rastin “Brezovica 1”


Disa objekte në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave në rastin e njohur si “Brezovica 1”.

Përmes një komunikatë për media është thënë se ndaj tyre rëndojnë aktakuza për keqpërdorim detyre, marrje e dhënie ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, për rastin “Brezovica” janë arrestuar edhe 26 persona të tjerë prej të cilëve 4 janë liruar në procedurë të rregullt dhe 19 prej tyre iu është caktuar masa e paraburgimit, kurse u janë bllokuar afër 6 milionë euro.

Po ashtu, janë sekuestruar mbi 100 objekte të ndërtuara në Brezovicë, që dyshohet se janë bërë në kundërshtim me ligjet.

Në mesin e këtyre të arrestuarve, është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç, i cili dyshohet se ka përfituar 1 milion euro jashtëligjshëm nga dhënia e lejeve për ndërtim të villave në zonën e Brezovicës.

Ndryshe, aksioni “Brezovica”, filloi më 21 dhjetor 2021 dhe është i udhëhequr nga prokurori Rasim Maloku nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në koordinim me Policinë e Kosovës -Drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, të cilët kanë zhvilluar këtë aksion në Komunën e Shtërpcës.

Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku.

Fillimisht në këtë aksion, me urdhër të prokurorit, janë arrestuar dhjetë persona të dyshuar, ndërsa në mesin e tyre edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, drejtori i Urbanizmit, disa zyrtarë të tjerë dhe disa pronarë të firmave, për shkak të dyshimit për veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Më 21 dhjetor 2021, në një konferencë për medie, prokurori Rasim Maloku ka thënë se dyshohet që Bratislav Nikoliç, ish-kryetar i Shtërpcës, ka përfituar mbi 1 milion euro jashtëligjshëm.

Kështu, ky aksion vazhdoi më 6 janar 2022, dhe u zhvillua në disa qytete, kurse cak ishin të përfshirët në hetimin për ndërtimet e paligjshme në Brezovicë.

Nga ky aksion, dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës  (MMPH), u arrestuan nën dyshimin për korrupsion, derisa pesë qytetarë janë vënë në pranga nën dyshimin e dhënies së ryshfetit.

Numri i të arrestuarve kishte shkuar në 17 me arrestimin e këtyre shtatë të dyshuarve më 6 janar 2022, ndërsa afër 6 milionë euro u bllokuan.

Por, më 4 prill, nga Gjykata Themelore në Ferizaj, konfirmuan se Bedri Halimi, kryeinspektor i Ministrisë së Mjedisit dhe Ismet Asllani, pronar i kompanisë “Kashtanjeva Dekor SHPK”, janë liruar nga masa e paraburgimit.

Tutje, më 3 mars 2022 ka vazhduar aksioni “Brezovica 3” me bastisjen e 12 lokacioneve në katër qytete të ndryshme në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj e Lipjan.

Nga ky aksion, janë arrestuar 7 persona, tre prej tyre ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim të ndikimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore