Shqipëria

Nga Ukraina në Shqipëri, katër rrëfime të fuqisë së ekzistencës në luftë


Ndoshta ishte hera e parë që dëgjohej aq shpesh brenda një dite, fjalët “faleminderit” dhe “bukur”.

Qëndronin buzë trotuarit të katërta me flokët e arta dhe dielli përshkonte mes tyre tërthorazi.

Së bashku me dy Alona-t, Iryna-n dhe Alessya-n ishte dhe “Cardi”.

Qenushi i bardhë që i kishte shpëtuar luftës po jo zakonit luftarak të së lehurës.

Shqipja e tyre e cunguar manifestohej nga Anna, përkthyesja në gjuhën e tyre mëmë, e cila njihte dhe “Kafen e Rremës”.

Katër karaktere të ndryshme që kishin përjetuar tmerret e luftës, aq pranë sa larg njëra-tjetrës.

Ato ishin të çuditura, sepse shqiptarët u ishin dukur shumë fisnik dhe mikpritës.

“Pasuria e Shqipërisë janë njerëzit”, pranonin ato njëzëri.

Nga e majta Anna, në mes majtas Alona, në qendër djathtas Iryna dhe Alona bashkë me qenin e saj "Cardi"
Nga e majta Anna, në mes majtas Alona, në qendër djathtas Iryna dhe nga e djathta Alona bashkë me qenin e saj “Cardi”
Alona, Iryna dhe qendra e refugjatëve

Alona dhe Iryna (e bija dhe nëna e saj) ndiheshin po aq të mirëpritura si të ishin familjarë, të shqiptarëve që kishin takuar.

Më 13 gusht ato kishin mbërritur në Durrës, para asaj date kishin qëndruar në shtëpinë e tyre në Kharkiv.

Fillimisht kishin marrë një hyrje me qira në qytetin bregdetar, ku ishin prezantuar me djalin e pronarit të banesës.

Pa i njohur fare, ai i kishte ndihmuar për letrat në qendrën e refugjatëve.

S’ia kish përtuar as të përdorte makinën e tij personale, as t’i ndihmonte me rroba.

Madje në fund i kishte propozuar edhe që mund të punonin për të.

“Shumë, shumë të ngrohtë si njerëz”, vëren Alona.

Ajo ka një djalë që është në klasën e parë të shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi” në Kamëz.

Një grua me emrin Monika shtyu familjen ukrainase që ta regjistronte djalin në shkollë shqiptare.

Mamaja e Alona-s, Iryna ka mbërritur në Shqipëri me bashkëshortin e saj, duke lënë pas në Ukrainë bashkëshortin e Alona-s.

Lëvizja e tyre për ardhjen në Shqipëri erdhi për shkak të sigurisë së djalit, i cili kishte qenë në rrezik për jetën nga bombardimet e vazhdueshme në qytet që prej 24 shkurtit 2022.

“Nga dita e parë e luftës deri më 13 gusht jetonin nën frikën e bombardimeve, të cilat kanë vrarë disa prej shokëve të tij, ishte shumë i tronditur si fëmijë”, thotë gjyshja e tij Iryna.

Ai është pritur shkëlqyeshëm nga mësuesja e tij kujdestare, ndërsa fëmijët janë shumë të dashur.

“Ai e do shumë shkollën dhe pyeste përditë kur do vijë dita tjetër e shkollës”, tregon mamaja e tij Alona.

Qendra e refugjatëve është një ambient shumë shpirtëror, mikpritës, të gjithë punonjësit janë shumë të mirë dhe fisnikë dhe nuk kemi asnjë problem prej tyre, shtojnë familja ukrainase.

Përveç tyre në kamp kishte afganë, irakianë dhe dy dezertorë rusë që nuk ishin dakord me luftën.

Iryna dhe Alona rrëfejnë se ata ziheshin njëri me tjetrin se kujt i takonte Crimea dhe vetëm njëri prej tyre gjendet aktualisht në qendër.

Për ukrainasit që janë të akomoduar në këtë qendër ishte caktuar një mësuese për gjuhën shqipe, e cila quhet Eralda.

Ajo zhvillon leksione tre herë në javë për refugjatët që duan të mësojnë.

Alona dhe Iryna - AP

Pse Shqipëria?

10 gushti ishte data e fundit kur Alona u takua me bashkëshortin e saj.

Që prej asaj dite komunikon çdo ditë në telefon me të.

Rrugëtimi i tyre drejt qetësisë dhe paqes nga horroret e luftës nisi nga Kharkiv-i drejt Kyiv-it.

Deri në Kyiv familja ukrainase udhëtoi me tren, ku fjetën një natë.

Pastaj ishin nisur për një kalvar 48-orësh nga kryeqyteti i Ukrainës drejt Durrësit me autobus.

Mbërritja e tyre në vendin tonë u regjistrua 12 orë më herët nga sa ishte planifikuar.

I njohur me kushtet, pronari shqiptar i shtëpisë i kishte liruar dhomën e tij të gjumit.

Pse Shqipëria? “Sepse është e ngrohtë”.

Ishte bashkëshorti i Alona-s, i cili kish propozuar Shqipërinë si alternativë konkrete.

Edhe nëse do të kishin mundësi të kthenin kohën pas, nuk ndjehen të penduara për vendimin e marrë.

Janë të dashuruara me Shqipërinë.

E dinë dhe e pranojnë që në një vend tjetër ndoshta do të ishin ndihmuar më shumë nga ana materiale.

Por janë shumë të lumtura sepse kanë gjetur në Shqipëri, qetësinë.

Për më tepër, në përvojën e tyre njerëzit janë shumë pozitivë.

“Derisa të mbarojë lufta do të rrimë në Shqipëri, atje është shumë horror”, shfryjnë me buzëqeshjen e ngrirë dy gratë ukrainase.

Iryna punonte në Kharkiv si zëvendës drejtoreshë e bibliotekës në një Kolegj për Ndërtim, Arkitekturë dhe Dizajn.

Ndërsa, vajza e saj Alona ishte një inxhiniere mbasi kishte përfunduar studimet në Universitetin e Politeknikut në Kharkiv.

Mbasi kishte lindur djalin merrej me web-design në një shkollë.

Familja ukrainase pranon se gjendet në vështirësi nga ana ekonomike.

Por kanë shpresën se do të gjejnë punë në vendin tonë.

Nga fillimi i vitit 2023, ato tregojnë se është ndërprerë ndihma ekonomike dhe vijon vetëm garantimi i ushqimit në kamp.

Familja jeton falë parave që dërgon bashkëshorti i Alona-s nga Ukraina.

“Është shumë e tmerrshme pritja dhe s’dimë asgjë kur do rikthehemi. S’kemi siguri ku të shkojmë në Ukrainë. Gjërat që po ndodhin atje janë horror. Kemi ikur sepse nga ana morale dhe shpirtërore ishte e papërballueshme dhe tani situata është përkeqësuar fare”.

Russian bombs hammer Ukraine's Kharkiv and tanks push toward Kyiv | Canada's National Observer: News & Analysis

Trauma e Iryna-s dhe forca e Alona-s

Iniciatorja e lëvizjes për të larguar familjen nga Kharkiv-i ishte Iryna.

Qëllimi i saj ishte vetëm për të shpëtuar nipin e saj 6-vjeçar.

“Nuk ndihem keq që u largova nga shtëpia jonë, sepse të paktën shpëtova jetën e djalit”.

Iryna pëshpëriste ndërsa rrëfente që të mos zgjonte traumat që ende i ndiheshin në lëkurë.

Pallati i banesës së tyre ishte pesëkatësh, e ndërtuar që nga periudha sovjetike dhe s’kishte bodrum.

I vetmi vend që mund të fshiheshin nga bombardimet ishte metro-ja.

Më shumë herë kishin zgjedhur të qëndronin në korridor, brenda dy mureve të shtëpisë.

Njëherë kujtojnë ato, na u duk se shpërtheu një raketë afër shtëpisë por ishte shpërthimi i një makine që ishte e mbushur me karburant.

Edhe ata që luanin domino në sheshin para pallatit qenë vrarë, përpiqen të ri-përfytyrojnë Iryna me Alona-n.

Nga banesat e pallatit të tyre, kanë mbetur vetëm tre familje që jetojnë aty.

“Kisha dalë për një xhiro me shoqen time 32-vjeçare”, kujton Alona, “të dyja kishim marrë fëmijët e vegjël me vete për t’i dërguar në park”.

Pasi u dëgjua alarmi ajror, mikesha e Alona-s mbeti e vrarë në vend nga copa e një rakete të rrëzuar aty pranë.

Ndërsa vajza e saj 2-vjeçare mbeti e plagosur rëndë, edhe pse mbijetoi.

Bashkëshorti i shoqes së ndjerë të Alona-s ka marrë dy fëmijët e tij duke u larguar në Perëndim të Ukrainës, vëren ajo.

Kur u pyet për ndjesitë e minutave të mesnatës së 24 shkurtit, Iryna u ngjeth pa e përkthyer ende pyetjen Anna.

Në orën 5 të mëngjesit ato kishin dëgjuar bombardimet që nisën në një rajon pranë tyre.

Përgjatë ditëve ato nuk i kanë besuar atyre që po ndodhte, për to ishte një tmerr i pabesueshëm.

“Ende sot e kësaj dite nuk mund ta besoj”, shfryn Iryna. “Hapja sytë dhe nga të gjitha anët dëgjoja bombardimet, nuk e dija nëse do të jetoja apo do të vdisja në fund të ditës”.

Live updates: 57 Ukrainians have been killed in the Russian invasion | KUT Radio, Austin's NPR Station

Nga Stambolli në Kharkiv “më këmbë”

Vajza (Alessya), e cila ngjante me këngëtaren Avril Lavigne, ishte 13 vjeç.

Së bashku me nënën e saj Alona-n (adashja e ukrainases së familjes së parë) vinin nga një qytet që është 80 kilometra larg nga Kharkiv, i quajtur Pervomaiskyi.

Por fillimi i luftës, i gjeti të dyja të ndara nga njëra-tjetra.

Një ditë përpara se Rusia të niste bombardimet në Kharkiv, Alona me vajzën e saj të madhe (27 vjeç) gjendeshin në Stamboll për një operim.

Ndërsa, Alessya gjendej me babain e saj në shtëpi, në Ukrainë.

Në orët e para të mëngjesit së 24 shkurtit, Alona kishte filluar përgatitjet për operacionin e saj.

Ekrani i telefonit të saj u mbush nga lajmërimet se kishte nisur lufta në Ukrainë.

Me instiktin e nënës, Alona hoqi të gjitha aparaturat mjekësore me të cilat ishte lidhur dhe kërkoi të kthehej menjëherë tek e bija.

Alessya sapo ishte zgjuar nga zilja e alarmit, jo nga alarmi i bombave.

“Duhet të shkoja në shkollë në orën 6 të mëngjesit, dhe kur u futa në Instagram shoqet më kishin shkruajtur që kishte filluar lufta”, kujton ajo.

Edhe pse larg tymit dhe tmerreve të luftës, Alona po i drejtohej “ferrit” pa e ditur nëse do t’ia dilte mbanë.

Ajo u nis drejt Rumanisë me avion dhe mbërriti në Chernivtsi, qytet pranë kufirit.

Pasi mbërritën në kufi, trafiku ishte i tmerrshëm për të dalë nga Ukraina.

Shoferi i autobusit rumun as nuk e merrte guximin që të hynte për në Ukrainë sepse s’kishte se si të kthehej.

“Kam ecur më këmbë për pesë kilometra në temperatura -7 gradë Celsius. Mbaja të veshura në trup rroba të lehta pasi vija nga Turqia. Ndryshova me dhjetëra dhe qindra automjete për të mbërritur deri në Kharkiv, 1 mijë e 200 kilometra nga kufiri pranë Chernivtsi-t”.

Alona tregon se e bija kishte bërë gjithçka gati që nga valixhet e deri te power bank që karikon telefonat celularë.

Shqipëria, në fatin e tyre

Pasi ndenjën në shtëpi për afro dy javë, familja lëvizi më 9 mars në momentin e parë që qyteti i tyre u bombardua.

Në Pervomaiskyi kishte goditje me raketa por nuk u shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Një mik shqiptar i vajzës së madhe të Alona-s kishte ndihmuar familjen për akomodimin në Tiranë në një ambient me qira.

Madje ajo tregon se ka hapur një sallon estetik në kryeqytet, në një nga zonat më të banuara.

Jeta vazhdon normalisht për familjen ukrainase, edhe pse në distancë.

Bashkëshorti i Alona-s është inxhinier elektrik që merret me rregullimin e infrastrukturës kritike të dëmtuara nga bombardimet në Kharkiv.

Alessya ka vazhduar të ndjekë mësimin online në Ukrainë.

“Shqipëria është normale por mua më mungon shtëpia ime”, thotë e bija e Alona-s, ndërsa nuk e fsheh mërzinë sepse shoqja e saj e cila gjendet në Tiranë do të zhvendoset drejt Polonisë.

Ngjashëm si familja e parë, edhe familja e Alona-s nuk ka ndërmend të kthehet në vendlindje pa përfunduar lufta.

“E pëlqej shumë Shqipërinë, çdo gjë, njerëzit, klima, produktet dhe nuk është shumë shtrenjtë”, vëren ajo.

Produktet janë shumë organike dhe u pëlqen shumë ushqimi, por atyre iu mungon “salo”.

Nuk bëhet fjalë për filmin torturues të Pier Paolo Pasolini, por për fetat e yndyrës së derrit që njihet si “pjata kombëtare e Ukrainës”.

Paqja më e rëndësishme se kufijtë

Kur u pyetën për ngjashmëritë e mundshme midis shqiptarëve dhe ukrainasve më panë me drojë.

Iryna tregoi me këndvështrim empirik se gjeneratat më të rritura në Shqipëri përputhen me bazat e periudhës sovjetike si në Ukrainë – edukata dhe mirësjellja.

Nuk e dimë se ku mund të ngjajmë ose mund të dallojmë me shqiptarët por neve na pëlqen qëndrimi këtu.

“Ne duam një jetë paqësore”, thotë Iryna pa hyrë në shtegun politik të luftës.

Për fundin e luftës Alona, mamaja e Alessya-s thotë se do të jetojë si të gjithë të tjerët, me perspektivat për të cilat kanë punuar.

“S’na intereson shumë ku janë kufijtë. Duam të jetojmë në shtëpitë tona me njerëzit tanë”, thekson ajo. “Më e rëndësishmja është që duhet të jemi të gjithë bashkë”.

Alona-s i pëlqen qetësia e Tiranës si kryeqytet, ku njerëzit “rrinë, pinë kafe dalëngadalë” ndërkohë që në Kyiv jeta vrapon si në New York.

“Këtu shijohet jeta”, pohon ajo. “Unë dua të jem kështu si shqiptarët, dua të ulem, të qetësohem”.

Me të përfunduar intervista, u nxorrën në pah të qeshurat buzagaz të tyre për të përjetësuar një dëshmi historike.

Ato ishin shembulli më i qartë i dashurisë ndaj tjetrit, në një botë mohuese ndaj vlerave të jetës.

Të gjithë trishtimin dhe ankthin e rrëfimit të tyre, e thyen me fjalën e parë shqipe që kishin mësuar, “faleminderit” që përsëriteshin me tundjet e kokës.

“Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës”, shkruante Konica në vitin 1897.

Kjo ishte bukuria që shqiptarët morën nga rrëfimi i katër grave dhe vajzave ukrainase.

Ekzistenca dhe triumfi njerëzor, që gjalloi nga shëmtia e luftës dhe nuk ra në agoninë e së keqes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore