Shqipëria

Balluku: Ndalohen tonazhet e rënda deri të hënën


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi nga hyrja e Milotit në drejtim të Shkodrës se mjetet e tonazhit të rëndë do të ndalohen të qarkullojnë pas orës 20.00 në darkë. Njoftohet se do të ndalohet qarkullimi i automjeteve të tonazhit të rëndë, të cilat krijojnë problem dhe bllokojnë borëpastrueset.

Ministrja tha se kjo situatë ka ndodhur në aksin Librazhd në drejtim të Qafë-Thanës. “Deri të hënën, në mëngjes të gjithë automjetet e tonazhit të rëndë nuk do të lejohen të qakullojnë në akset kombëtare”.

“Situata është ekstreme, pavarësisht se të gjitha borëpastrueset, të gjitha kompanitë që kryejnë mirëmbajtjen janë duke punuar”, shtoi Balluku.  Ministrja i bëri thirrje drejtuesve të automjeteve të evitojnë të gjithë qakullimet në akset kombëtare dhe akset që lidhin pjesën e qyteteteve dhe ato të fshatrave. I bëhet thirrje drejtuesve të automjeteve të kenë kujdes dhe të përdorin zinxhirët.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka publikuar një njoftim të rëndësishëm për të gjithë drejtuesit e automjeteve, të cilët janë të detyruar të lëvizin këto ditë, në kushtet e motit të përkeqësuar. Kontraktorët e ARRSH-ja janë duke pastruar rrugët nga bora, duke qenë në gatishmëri, por kërkohet në mënyrë kategorike, për të shmangur çdo të keqe të mundshme, që makinat të jenë të pajisura me goma dimri ose me zinxhir.

Reshjet e dendura të borës të shoqëruara dhe me erë të fortë kanë mbuluar gjithë vendin. Policia e Shtetit u ben thirrje drejtuesve te mjeteve, sidomos atyre që qarkullojnë në zonën e Dajtit, në Fushë Labinot, në Qafë Plloç, në Pogradec, Korçë, Dibër, Kukës, Lezhë, Llogara e Qafë Muzinë, për kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjeteve.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës që të shmangin lëvizjet e panevojshme në rrugë, të tregojnë kujdes maksimal dhe të përdorin zinxhirët e gomave për automjetet, sidomos në akset rrugore me deborë dhe me ngrica.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore