Sport

Nga Olti Hyseni te Riza Dyrmishi, shqiptarët ‘lënë kokën’ për Danimarkën


Olti Hyseni - Riza Dyrmishi

Një intervistë e talentit danez me origjinë shqiptare, Olti Hyseni, ka pushtuar mediat në Shqipëri dhe Kosovë, pasi anësori 16-vjeçar refuzoi “Dardanët” për faktin se ndihej danez. Mirëpo, ai nuk është shqiptari i vetëm që ka shprehur diçka të tillë, pasi disa kohë më parë, Riza Durmisi (Dyrmishi) kishte treguar gjithashtu dashurinë për Danimarkën.

Gjatë një ndeshjeje mes Danimarkës dhe Shqipërisë në “Parken Arena” të Kopenhagenit në vitin 2015, Durmisi dha një deklaratë që mërziti jo pak tifozët shqiptarë dhe trazoi rrjetin.

“Që kur isha i vogël kam ëndërruar të luaj në stadiumin e mbushur të ‘Parken’-it dhe të dëgjojë himnin kombëtar të Danimarkës. Kjo ëndërr m’u realizua, kështu që për mua kjo është diçka e madhe. Ende i ndjej dridhërimat në trup”, tha Durmisi asokohe.

Teksa u pyet për kundërshtarët, Shqipërinë, vendin e të parëve të tij, futbollisti tashmë 30-vjeçar u shpreh: “Para ndeshjes mendova se kjo do të ishte diçka e veçantë, por kur hyra në fushë nuk mendoja ndaj kujt po luaja. Mendoja vetëm për tri pikët”.

Durmisi ka lindur në Danimarkë, por prindërit e tij janë me origjinë nga Tetova. Ai ka luajtur në pothuajse të gjitha nivelet e të rinjëve të Kombëtares daneze duke filluar nga U-16, U-17, U-19 dhe U-21, para se të mbërrinte në ekipin e parë, me të cilët pati 23 paraqitje.

Në nivel klubesh, Rizai ka luajtur me emra të njohur si Brondby, Real Betis, Lazio, Nice apo dhe Leganes. Aktualisht luan në Poloni me LSK Lodz.

Olti Hyseni

Olti Hyseni, anësori 16-vjeçar i SonderjyskE në Danimarkë, ka refuzuar ftesën e Kombëtares së Kosovës pasi ai pranon se “ndihem danez”.

Lojtari i vitlindjes 2007 ka lindur në Danimarkë nga dy prindër me origjinë nga Kosova.

Në një intervistë për median vendase, “Der Nordschleswiger”, Hyseni tregon për historinë e familjes së tij dhe refuzimin që i ka bërë Kosovës së fundmi.

“Nëna ime erdhi në Danimarkë në vitin 1999. Babai im nuk kishte nënshtetësi daneze dhe nuk u lejua të qëndronte. Në vitin 2007 mori lejen e qëndrimit dhe erdhi në Danimarkë, një ditë para se të lindja unë”, u shpreh Hyseni fillimisht.

“Kam ndjesinë se ka pak Kosovë te mua, por jam më danez. Unë kam lindur dhe jam rritur këtu dhe të luaj për Kosovën nuk është pjesë e konsideratës sime”.

“Ndihem danez, dhe Danimarka ka gjithashtu kombëtaren më të mirë”, shtoi 16-vjeçari.

Hyseni, deri më tani, ka përfaqësuar Danimarkën në nivelin U-16 dhe U-17, ku në total numëron shtatë gola në 11 paraqitje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore